Artpolis

‘Copë-Copë’ dhe Arti që Thyen Kufijtë

Java e Kulturës Shqiptare në Zagreb, 26 Nëntor 2018

Nga Bora Shpuza Kasapolli

 

Në një mbrëmje të freskët nëntori, një shfaqje e pazakontë e mbajtur në Teatrin e qytetit të Zagrebit mbylli zyrtarisht javën e kulturës shqiptare, para një publiku sa të mrekulluar aq edhe të tronditur. E ftuar nga Ambasada e Kosovës në Kroaci, regjisorja e talentuar Zana Hoxha Krasniqi me trupën e aktoreve nga Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis, solli në skenë pjesën teatrale ‘Copë-Copë’, me ngjarje të vërteta që drithërojnë dhe mallëngjejnë. Mbi të gjitha, na bëjnë të kuptojmë sa shumë dhimbje dhe vuajtje ka ende në familjet tona, në këtë tranzicion të stërzgjatur të shoqërisë shqiptare. Janë viktimat e dhunës familjare që vijnë të gjalla në këtë dramë për të treguar historitë e tyre me fuqinë e shpirtrave të pamposhtur, sado që në dukje të mundur.

Për të realizuar këtë shfaqje, krijueset e saj, me regjisoren e palodhur në krye, kanë mbledhur histori të shumta nga gra që kanë përjetuar dhunë në familjet e tyre në Kosovë. Me guximin dhe talentin që karakterizon artistet e vërteta, ato i kanë dhënë zë të fuqishëm një kategorie të pafuqishme të femrave tona, të cilat sot më shumë se kurrë kanë nevojë për mbrojtje, mirëkuptim dhe mbështetje. Artdashësit shqiptarë në Zagreb i përjetuan thuajse për së afërmi këto histori, falë aktrimit të mrekullueshëm të trupës së Artpolis. Disa prej historive më të rënda u shpërfaqën në skenë, me ndjeshmërinë që vetëm artistet mund ta kenë, dhe me pushtetin që vetëm teatri si formë artistike arrin të ushtrojë mbi publikun.

Ndërthurja e aktrimit fizik me rrëfimin, e vallëzimit me këngën, sekuencat e shkëputura të kujtimeve nga e kaluara të gërshetuara në mënyrë të pandashme me të tashmen e hidhur, janë përdorur me mjeshtëri nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi, e cila ka shkrirë përvojën e saj të gjatë artistike në krijimin e kësaj kryevepre. Aktoret e mirënjohura dhe aq të dashura për publikun, Melihate Qena dhe Anisa Ismajli, së bashku me Donikë Ahmetin, Qëndresa Kajtazin dhe Daniela Markajn, të cilat e zotërojnë skenën me lehtësi tronditëse, kanë arritur të realizojnë një vepër teatrale sa shokuese aq edhe syhapëse. Publiku arriti të bashkëndjejë me gratë e lënduara përmes ngjarjeve që depërtuan thellë në shpirt nga sytë, zërat, trupat dhe shpirtrat e aktoreve. Një ‘copë’ mjaft reale e shfaqjes erdhi nga Bashkime Sulejmani, e mbijetuar e dhunës në familje, e cila me sinqeritet e realizëm të thellë shpalosi historinë e saj për t’iu dhënë kurajë të tjerave. Një element tejet i veçantë në shfaqje ishte shoqërimi i rrëfimeve me zërin e kthjellët deri në dhimbje të këngëtares së re Albina Kelmendi, e cila fitoi zemrat e publikut mbarëshqiptar me paraqitjen e saj të paharrueshme në Voice of Albania para pak vitesh. Si kolonë zanore e përkryer, me një repertor këngësh të zgjedhura enkas, timbri i Albinës ishte i mishëruar në porosinë që përcjell shfaqja, duke emocionuar publikun si rrallëherë.

Me një skenografi të thjeshtë por kuptimplote, ku ngjyrat bazë janë e zeza, e kuqja dhe ngjyra e mishit njerëzor, kjo pjesë teatrale solli të pafiltruar dramën e shumë grave shqiptare. E zeza simbolizon errësirën që ka pushtuar shpirtrat e tyre, e kuqja është gjaku i tyre në luftë për mbijetesë, dhe lëkura e trupit përfaqëson thelbin e qenies njerëzore të dënuar pa gjyq, viktimë e një dhune primitive. Velloja e zezë mbi fytyrat e aktoreve, si fustan tragjik i një nusërie të nëmur, është element tejet i qëlluar artistik, duke mbështjellë atmosferën e hidhur të një gjendjeje të rëndë shpirtërore.

Vetëdijesimi i shoqërisë për dhunën në familje, si plagë e rëndë që duhet çrrënjosur, fillon me kuptimin e drejtë të rolit të pazëvendësueshëm të gruas në shoqëri dhe familje. E drejta e gruas për t’u konsideruar qenie njerëzore me të drejtat dhe dinjitetin e vet është e patjetërsueshme, dhe trajtimi i vajzave si pronë ose plaçkë për t’u shitur, ose për t’u shpënë “në vend të vet”, duhet të marrë fund një herë e mirë. E ardhmja jonë nuk mund të jetë copë-copë, dhe nuk mund të lejojmë që gjysma e shoqërisë sonë të dhunohet në asnjë mënyrë.

Drama ‘Copë-Copë’ ka për autore të mirënjohurën Blerta Zeqiri, filmat e së cilës ka vite që përfaqësojnë denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Nga viti 2015, kjo pjesë teatrale është shfaqur me sukses në skena të shumta para artdashësve të teatrit në Prishtinë, Ferizaj, Kukaj, Gostivar, Shkodër, Tiranë, Beograd etj., si pjesë e festivaleve të ndryshme dhe turneve rajonale me karakter humanist. ‘Copë-Copë’ është prezantuar edhe në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara nga Artpolis, bashkë me organizata të tjera joqeveritare, me qëllim të vetëdijesimit të shoqërisë për këto dukuri të rënda. Shfaqja është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet Artpolis, në Prishtinë, dhe mbështetet nga organizata zvicerane CDF.

Venera It

Foto Galeri

72Shares