Robert Nuha (Noa)

Robert Nuha (Noa) – ka lindur më 1990, dhe është profesor i koreografisë dhe dansit bashkëkohor pranë Kolegjit AAB – Prishtinë dhe koreograf i Trupës Artistike Rezidente të Artpolis. Ai ishte pjesë e “Albania-Dance Theatre Company” (2014-2020). Për më tepër, Roberti është themelues i kompanisë së parë profesionale të dans-teatrit në Kosovë “Noa Dance Theatre Company” dhe koordinator i festivalit internacional, i vetmi festival i dansit bashkëkohor në Kosovë, “Albania-Kosovo Dance Meeting”.

Ka marrë pjesë në një numër të madh projektesh artistike në gjithë Europën e më gjerë me shfaqjet si “I’m the Men!?” (Gjermani), “Stress Biology” (Zvicërr), “Hybrid 0 to 100” (Izrael) etj. Së fundmi ka bashkëpunuar me kompaninë e famshme të dansit bashkëkohorë Compagne LINGA (Zvicërr) me shfaqjen “Between”. Është bashkë-koreograf në shfaqje si “Lulet e Dimrit“ e prezantuar në Mediterranea Young Artists Biennale dhe “Lets Go“, prezantuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Gjithashtu ai ka punuar me disa ansamble popullore në Kosovë, përfshirë edhe Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota“ në të cilën ka bashkë-koreografuar “Brezave Amanet”, së bashku me koreografin e mirënjohur shqiptar, Gjergj Prevazi. Ka koreografuar disa shfaqje të teatrit “Destur – Blasfemi e Ëmbël“, “Ferma e Kafshëve“, “Shumë Zhurmë për Asgjë“, “Zgjimi i Pranverës“, “Gjuetaret e Artemidës”, “Provo edhe njëherë Sem”, “Allo Allo” etj.

Është koreograf i projekteve artistike si “What Men Want”, “Anlimit”, “Feel”, “Inout”, “Flux Life”, “Ups and Downs”, “White Night”, “Totem dhe Tabu”, “Top Girls”, “Sober”, “Fausti” etj. Roberti numëron disa premiera botërore në Festivale prestigjioze të dansit bashkëkohorë, përfshirë performancën “InOut” në Festivalin “Laiks Dejot” më 2021 në Letoni dhe në Festivalin “Solo Dance Ankara” në Turqi, si dhe “Mechanical” në Festivalin “JISDF” në Izrael më 2022.

Në krijimtarinë e tij artistike ai tenton që të gjejë shkrirje organike të valles dhe kërcimit popullor shqiptar me stilin e dansit kontemporan, me të cilën synon të gjejë një formë unike dhe origjinale të koreografimit dhe kërcimit!