Aktivitetet Aktivizëm Punëtoritë

Punëtoria kundër ngacmimeve seksuale fuqizon kadetet e reja të Sigurisë Publike

1 Prill, 2026

31.03.2026

Në një kohë kur heshtja shpesh normalizohet dhe përvojat e grave minimizohen, krijimi i hapësirave për të folur, për të reflektuar dhe për të vepruar bëhet thelbësor.

Në kuadër të projektit “Nga Avokimi në Veprim: Gratë dhe të Rejat/Rinjtë Ndërtojnë Paqen”, mbështetur nga organizata suedeze Kvinna till Kvinna, Artpolis, në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, organizoi më 31 mars punëtorinë “Ndërtimi i një Mjedisi të Sigurt: Parandalimi i Ngacmimeve Seksuale”.

Kjo punëtori shënoi përmbylljen e muajit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas — jo vetëm si kujtesë, por si vazhdimësi e rezistencës dhe angazhimit.

Në këtë hapësirë të përbashkët, 22 pjesëmarrëse gra dhe gra të reja, kadete të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe staf i Akademisë – ndanë përvoja, pyetje dhe reflektime mbi një realitet ende i pranishëm: ngacmimi seksual.

Të udhëhequra nga dy zëra të fuqishëm të drejtësisë dhe barazisë gjinore, Dr. Ariana Qosaj Mustafa dhe Adelina Berisha, diskutimet prekën jo vetëm përkufizimet ligjore, por edhe përjetimet e përditshme: Çfarë është ngacmimi seksual? Ku ndodh? Pse heshtet? Si na bën të ndihemi?

Punëtoria nxori në pah mekanizmat e padukshëm që e mbajnë këtë fenomen gjallë — normat shoqërore, stereotipet gjinore dhe fajësimi i viktimës — duke sfiduar strukturat që shpesh i normalizojnë këto përvoja.

Përmes analizës së Konventës së Stambollit dhe mekanizmave institucionalë, pjesëmarrëset u fuqizuan me njohuri, por edhe me zë.

Veçanërisht të fuqishme ishin reflektimet e kadeteve të reja, të cilat ndanë paragjykimet që i ndjekin që në fillim të rrugëtimit të tyre profesional — nga stereotipet për gratë që punojnë në institucione të sigurisë, deri te “kujdesi i tepruar” që shpesh i përjashton nga përvoja të rëndësishme pune.

Kjo punëtori nuk ishte vetëm një aktivitet — ishte një hap drejt çmontimit të heshtjes, një thirrje për përgjegjësi institucionale dhe një kujtesë se një mjedis i sigurt ndërtohet vetëm kur zërat dëgjohen dhe përvojat merren seriozisht.

Ky aktivitet është organizuar nga Artpolis me mbështetje të Kvinna till Kvinna.

You may also like