“Historitë tona, skena jonë” solli dialogun në Barabar Centre, Prishtinë
16 Korrik, 2026
Zana Hoxha (e lindur më 1981) është regjisore profesioniste e teatrit, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, organizatë që promovon artin dhe diversitetin përmes dialogut social dhe integrimit në komunitet.
Ajo ka realizuar mbi 30 shfaqje teatrore, të cilat janë prezantuar në teatrot kryesore të Kosovës dhe Ballkanit. Puna e saj si artiste, aktiviste dhe mentore e ka çuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Puna e saj artistike është vlerësuar me një sërë çmimesh ndër vite. Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” u shpall shfaqja më e mirë e vitit 2020 nga Ministria e Kulturës e Kosovës. Ajo fitoi çmimin “Regjisorja më e Mirë” në festivalin “Teatri Shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, si dhe çmimin “Grand Prix” për shfaqjen më të mirë në edicionin e 14-të të ITF Skupi Festival 2020. Shfaqja “Gjuetaret e Artemidës” u nderua në Etno Fest 2020 me dy çmime: Shfaqja më e Mirë dhe Interpretimi më i Mirë. Ndërsa shfaqja “Copë Copë” fitoi në Etno Fest 2019 çmimet për Regjinë më të Mirë dhe Aktoren më të Mirë.
Aktivizmi i saj artistik u zgjerua edhe më tej në vitin 2022 me krijimin e dy shfaqjeve teatrore: “Çimka”, e cila u shfaq për dhjetë ditë gjatë muajit maj në Shtëpinë e Gjetheve në Tiranë, Shqipëri; kurse shfaqja “Toka e Shpirtrave të Trazuar” hapi edicionin e 10-të të Festivalit FEMART më 14 qershor.
Zana ishte Drejtoreshë e Departamentit të Teatrit në festivalin SKENA UP gjatë viteve 2004–2011, Drejtoreshë Artistike e Teatrit Profesional në periudhën 2011–2014 dhe është themeluese dhe drejtoreshë e organizatës ARTPOLIS, si dhe e FEMART, festivalit më të madh feminist të artisteve dhe aktivisteve në Ballkan.
Ajo është përzgjedhur si alumne e programit IVLP (Programi Ndërkombëtar për Vizitorët e Huaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës), dhe është fituese e shumë çmimeve për kontributin e saj si regjisore në Kosovë dhe rajon. Duke ndërthurur artin me aktivizmin, ajo e përdor teatrin si mjet avokimi për të drejtat sociale, me fokus në ndërgjegjësimin për dhunën me bazë gjinore, të drejtat e njeriut dhe diversitetin.
Zana është laureate e programit “Liderët e së Ardhmes ” të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, për lidershipin e saj në promovimin e barazisë gjinore, avokimin, zhvillimin shoqëror dhe të drejtat e grave.
Ajo ishte bursiste e programit Chevening dhe ka përfunduar studimet për Master në Regji Teatri në LAMDA (Akademia e Muzikës dhe Artit Dramatik në Londër). Gjatë kësaj periudhe krijoi dhe bëri regjinë e shfaqjes “Revoltohu, Tha Ajo, Revoltohu Sërish” të autores Alice Birch. Gjithashtu, ishte regjisore e shfaqjes “Electra”, një bashkëpunim ndërmjet LAMDA dhe Konservatorit të Athinës.
Më 2024, ishte bashkë-regjisore e shfaqjes “Gratë e Trojës” me Maja Mitić, si dhe shkroi dramaturgjinë për shfaqjen dans teatër “O Zot, O Zot, O Zoja e Shpisë”.
Në vitin 2026, dramatizoi dhe bëri regjinë e shfaqjes “KABARE 1999” në Teatrin e Gjilanit, dhe regjinë e shfaqjes “NO CARMEN!” në Teatrin Mladinsko në Slloveni.
Ajo është krenare që është anëtare e bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, ligjëruese dhe trajnere e specializuar në forum teatër, si dhe mbështetëse e fuqizimit dhe emancipimit të grave aktiviste.