Fondi Fondi për Art Feminist

“Be Aware: Patriarchy Destroy Zone”, godet femicidin dhe fton gratë në solidaritet

11 Dhjetor, 2023

09.12.2023

Më 9 dhjetor, Blerta Gubetini e Dora Xhemajli sollën performancën e tyre “Be Aware: Patriarchy Destroy Zone” në skenën e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

E prezantuar në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit” kjo performancë ishte një performancë kundër shtypjes sistematike të grave nga sistemi patriarkal, e thirrje që vrasja e grave të ndalet.

Me ndërthurje të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme feministe “Be Aware: Patriarchy Destroy Zone” është një performancë feministe që godet seksizmin, mizogjeninë e femicidin, dhe fton gratë në solidaritet.

Performanca nisi me skena të protestave të grave në rrugë nga Kili në Washington, nga Parisi në Prishtinë, që njëzëri i kishin thënë stop vrasjes dhe dhunimit të grave përmes performancës “Un Violador en Tu Camino (Një përdhunues në rrugën tënde)” të krijuar nga Las Tesis.

Më pas në skenë paraqitet Dori Xhemajli, e cila solli monologun e shkrimtares së parë feministe Christine de Pizan si thirrje për edukimin e grave, e drejtë e mohuar ndër shekuj.

Në këtë performancë kanë zënë vend edhe kënga e Beyonce “Flawless”, e marshi “BollMa” nga Artpolis.

Inspiruar nga performanca “Interior Scroll” e Carolee Schneemann, Blerta Gubetini sfidoi normat shoqërore duke eksploruar temat e feminitetit, seksualitetit dhe artit. Akti i guximshëm dhe provokues për të nxjerrë një letër nga vagina e saj ndërsa e lexon me zë të lartë, sfidon nocionet tradicionale mbi trupin e grave.

Xhemajli e Gubetini gjithashtu kanë prekur edhe rastin e fundit të femicidit në Kosovë. Me një pankartë të shpalosur, ato kërkuan drejtësi për Liridona Ademajn.

Ato kujtuan edhe një viktimë tjetër të femicidit, 22 vjeçaren iraniane Mahsa Amini, e cila ishte vrarë më 16 shtator 2022 për mosmbajtjen e shamisë në publik. Protestave të shumta në mbarë botën ato iu bashkuan me prerjen e flokëve në skenë, si thirrje për ndaljen e vrasjes së grave në të gjithë botën.

Blerta Gubetini është shprehur se përmes kësaj performance kanë dashur të tregojnë se solidariteti është shumë i rëndësishëm.

“Qëllimi kryesor dhe rezultatin që po e presim nga kjo performancë është solidariteti. Bashkimi i grave është gjëja më e rëndësishme, sepse veç bashkë mundemi me e sjellë ndryshimin e madh. Ndryshime të vogla ne bëjmë çdo ditë në përditshmërinë tonë, edhe nëse ato nuk shihen, e nuk janë publike”, është shprehur Gubetini.

Dora Xhemajli ka theksuar se ka përmirësim në të drejtat e grave, por ende ka shtypje të tyre në shumë vende, teksa ka theksuar se shteti duhet të dënojë kriminelët.

“Ka ende shtypje…Protestat janë të domosdoshme. Shteti, policia, gjykatat duhet të japin dënime të përjetshme ndaj këtyre personave. Sepse ka raste që i kanë liruar më herët, prandaj drejtësia që mundet me sjellë shteti është dënojë kriminelët me burg të përjetshëm”.

Kjo performancë u përkrah nga Fondi për Art Feminist i Artpolis, që mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

#artpolis#feminist#found#kcsf

You may also like