“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
15.04.2024
Më 15 prill, 2024 Kino Lumbardhi u shndërrua në një hapësirë të aktivizmit feminist të “Grave të Trojës”, që shpalosën dhimbjen e tyre, qëndrueshmërinë, e guximin për t’i thënë “stop luftërave”. Kjo shfaqje u drejtua nga regjisoret Zana Hoxha dhe Maja Mitić, bazuar në dramën e Euripidit me tekst bashkëkohorë nga Shpëtim Selmani.
E inskenuar nga aktoret/ët e Ansamblit të Artpolis dhe aktore nga Serbia, ky produksion shpalosi vuajtjet e grave pas luftës, duke nxjerrë në pah brutalitetin dhe shtypjen ndaj grave. Tragjedia e “Grave të Trojës” jehoi përgjatë tërë performances duke na kujtuar se thelbi i Trojës, me dhimbjen dhe dhunën e saj, ende përshkon realitetin tonë global. “Troja ende është kudo” thërret Euripidi, teksa tërheq paralele therëse, “e gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne. Mijëra kuaj, jo nga druri, por nga çeliku… që fluturojnë. Pegasus të hekurt që hedhin bomba kudo”.
Njerëzit shndërrohen në numra, lufta na dehumanizon, pasojat e saj mbesin për gjenerata. Nuk kursehen as foshnjat – djali i Hektorit “dënohet me vdekje” nga armiku, teksa gratë bëhen rubina. Artistët shndërrohen në aktivistë politikë, thirrjet e tyre kumbuan në hapësirat e Lumbardhit për t’u dhënë fund luftërave e për të ndërtuar paqen.
“Gratë e Trojës” udhëtojnë në kohë, ngjallin kujtimet e atyre që vet e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, teksa bashkëndjenjë me vendet aktuale që janë viktima të luftës.
Qasja feministe zë vend në secilën pjesë të shfaqjes, por kulmon kur grekët përcaktojnë fatin e Kasandrës, Poliksenës, Hekubës e Andromakës. Ato ndahen edhe pa short “nga burrat e pushtetshëm grekë”. Kasandra përcaktohet të jetë skllave e Agamemnonit, e për të lajmëtari grek shprehet: “a nuk është nder me e nda shtratin me një princ?!”.
Audienca mirërpriti këtë shfaqje duke çmuar veçanërisht mesazhet për paqe dhe bashkëdyzimin e gjuhëve, shqip dhe serbisht.
“Gratë e Trojës” mbështetet nga UNFPA (përmes projektit ‘Youth 4 Inclusion, Equality & Trust), Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Amerikës në Kosovë. Partnerë në këtë aktivitet janë Artpolis dhe Helsinski Odbor për të Drejtat e Njeriut (Serbi).