Shfaqjet Teatrale

“Gratë e Trojës” në Beograd përçoi mesazhet për paqe

24 Nëntor, 2024

22-23.11.2024

Për dy netë radhazi Qendra për Dekontaminimin Kulturor (Centar za kulturnu dekontaminaciju) u shndërrua në një hapësirë të reflektimit mbi pasojat e luftërave, e thirrjeve për paqe në një kohë kur bota vazhdon të jetë dëshmitare e shkatërrimit të jetëve në Gaza e Ukrainë. Më 22 dhe 23 nëntor, 2024 në Beograd u prezantua shfaqja “Gratë e Trojës”, me regji nga Zana Hoxha dhe Maja Mitić.

Me një prekje bashkëkohore regjisoriale historitë ndërthuren nga Troja e lashtë tek ditët e sotme, nga luftërat e përgjakshme në Ballkan në fund-shekullin e XX-të e deri tek shtypjet në Somali. Pasojat e saj vazhdojmë edhe shumë vjet pas përfundimit të luftërave, dhimbja jehon ndërshekuj.

Përmes qasjes feministe “Gratë e Trojës” solli para më shumë se 220 personave në audiencë ndjeshmërinë dhe qëndresën e grave përballë terrorit të luftës.

Personazhet e Hekubës, Kasandrës dhe Andromakës nuk janë thjesht figura të një tragjedie të lashtë, por mishërimi i vuajtjeve të grave të sotme në zona lufte, të cilat mbajnë mbi supe peshën e humbjeve të paimagjinueshme. Ashtu si ato, gratë sot vazhdojnë të humbasin familjet, shtëpitë dhe dinjitetin, të shpërngulura e të pambrojtura në një botë që shpesh i sheh thjesht si plaçkë lufte.

Ato përballen çdo ditë me mizorinë, dhunën dhe pabarazinë, ndërsa shpresojnë për një të ardhme ku zërat e tyre të dëgjohen dhe vuajtjet e tyre të mos mbeten në heshtje. Kjo përsëritje i tragjedisë na kujton se lufta nuk përfundon me armët, por mbetet e gjallë në shpirtin e atyre që mbijetojnë dhe që kërkojnë drejtësi mes rrënojave.

“Gratë e Trojës” u inskenua në Beograd në gjuhën shqipe dhe serbe nga kasti i aktorëve: Maja Mitić, Shpëtim Selmani, Semira Latifi, Branka Stojković, Qëndresa Kajtazi, Labinot Raci dhe Aleksandar Stoimenovski, e shoqëruar me titra në anglisht.

Artpolis dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi janë partnerë në këtë produksion. Kjo shfaqje është krijuar me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj shfaqjeje është përgjegjësi e vetme e Artpolis dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjen e Bashkimit Evropian.

📸Srdjan Veljović

You may also like