“Prapa Ekranit”, vetëdijëson të rinjtë për rreziqet e dhunës online
4 Mars, 2026

27.02.2026
Më 27 shkurt, një grup nxënësish dhe të rinjsh nisën një aventurë të veçantë në zemër të Rahovecit, për të prekur me dorë trashëgiminë kulturore dhe për të shijuar historinë e gjallë të këtij qyteti.
Rruga e tyre e parë të çonte në fshatin Drenoc, në Muzeun e Anadrinisë, një vend ku historia nuk ruhet thjesht, por merr frymë përmes objekteve të mbledhura me dashuri nga komuniteti. Atje i priti themeluesi i muzeut, profesori Nazmi Berisha, i cili rrëfeu historinë e jashtëzakonshme se si lindi ky muze dhe sakrificën e komunitetit për të ruajtur kujtesën e tyre kolektive.
Më pas, arkeologia Elvana Bushi i futi pjesëmarrësit në botën magjepsëse të arkeologjisë, duke u treguar procesin e inventarizimit të rreth 800 artefakteve. Nxënësit identifikuan, matën, përshkruan teknikisht, fotografuan dhe regjistruan me numër inventari objekte që mbartin shekuj në vetvete. Ishte një mësim praktik për rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë.
Andi Haziri rrëfeu i emocionuar: “Sot në këtë punëtori kam kaluar shumë mirë. Muzeu në Drenoc na mundësoi të shohim shumë artefakte, dhe shumica e gjërave që janë mbledhur aty dhe për të cilat kujdesen janë vetë nxënësit. Më kanë lënë përshtypje objektet shumë të vjetra, që nga viti 1940, madje edhe rrushi i tharë që e kanë lënë aty, vizitorët mund ta marrin me vete.”
Hera Maliqi shtoi se: “Sot ishte një përvojë tejet e mirë sepse mësuam shumë për kultura të ndryshme. Vizituam një nga muzeut që nuk është shumë i njohur në Kosovë. Mësuam për bujqësinë e dikurshme dhe përvojat e njerëzve gjatë kohës së luftës. Ishte vërtet një përvojë e mrekullueshme.”
Pasi u ngopën me histori të së shkuarës, grupi u nis për të parë të tashmen dhe traditën e gjallë të Rahovecit – vizitën në Stone Castle. Të udhëhequr nga enologu Fejzullah Berisha, ata zbritën në bodrumet e mëdha dhe ndoqën nga afër çdo hap të magjisë së shndrrimit të rrushit në verë. Nga fermentimi te procesi i kualitetit, çdo detaj ishte një zbulim i ri.
Lum Begolli tregon entuziazmi: “Sot ishte një aktivitet shumë i rëndësishëm, sepse ne në përditshmëri nuk mësojmë për kulturën e vendit tonë. Kur shkuam në Rahovec, në muzeun plot artefakte, mësuam për të kaluarën. Më pas, te fabrika e Stone Castle, kaluam shumë mirë dhe mësuam se si fermentohet vera, si procesohet dhe për kualitetin e saj. Definitivisht duhet të vijmë më shpesh në këto aktivitete.”
Asja Ramiz gjithashtu theksoi rëndësinë e kësaj dite: “Këto aktivitete duhet të vazhdojnë, sepse është mirë të mësosh për vende të ndryshme, vlerën e tyre dhe të kënaqesh.”
Ky aktivitet ishte një urë lidhëse mes brezave, një përvojë formuese që ndezi kureshtjen dhe mendimin kritik të të rinjve, duke i bërë ata pjesë të rrëfimit të trashëgimisë kulturore. Përmes syve të tyre, të dokumentuar edhe në video, trashëgimia kulturore e Rahovecit – nga enët e lashta të muzeut te shishet moderne të verës – mori jetë dhe u bë pjesë e së ardhmes.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Heritage Horizons: A Journey Across Generations” të Artpolis në kuadër të programit BOOST Balkans, financuar nga AFD – Agence Française de Développement (AFD) të koordinuar nga ALDA – European Association for Local Democracy.








