“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
28.09.2023
Përmes rrëfimeve personale dhe fiktive, aktoret Anisa Ismaili dhe Fitore Broqi të enjten mbrëma sollën performancën “Jepi Ngjyra Jetës”, si thirrje për emancipim shoqëror e fuqizim të gruas.
E prezantuar më 28 shtator, 2023 në Teatrin Oda, “Jepi Ngjyra Jetës” vuri në qendër të vemëndjes gruan, sfidat e saj dhe ballafaqimin me paragjykimet dhe normat e sistemit patriarkal.
Ëndrrat, dëshirat, dhe guximi i grave u shpalosën me kreativitet në këtë performancë me elemente tradicionale minimaliste. Rrëfimet e ndryshme të Anisës dhe Fitores u pasuruan me video projeksionet e krijuara nga Mersime Ademi, si narracion për traumat dhe plagët e shkaktuara nga patriarkati.
“Jepi Ngjyra Jetës” u ndoq nga rreth 50 persona në audiencë, të cilët patën rastin të ndajnë me aktoret përshtypjet e tyre pas përfundimit të performancës.
Kjo performancë u mbështet nga Fondi për Art Feminist i organizatës Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.