Aktivizëm

“Poezi për Fuqi”, fjalët që thyejnë heshtjen

5 Mars, 2026

05.03.2026

Ti mund të më përshkruash në histori
Me gënjeshtrat e tua të hidhura e të shtrembëruara,
Mund të më shkelësh në baltën e tokës,
Por prapë, si pluhuri, unë do të ngrihem.

Këto vargje të fuqishme të Maya Angelou, të interpretuara gjatë mbrëmjes nga gazetarja Aurora Susuri, përmbledhin një të vërtetë të thellë njerëzore: se pavarësisht padrejtësive, heshtjes apo përpjekjeve për të zbehur zërin e tyre, gratë gjithmonë gjejnë mënyra për t’u ngritur. Ato ngrihen përmes solidaritetit, përmes guximit për të folur, dhe përmes artit që i bashkon.

Kjo frymë e ngritjes dhe fuqizimit ishte në zemër të mbrëmjes poetike “Poezi për Fuqi” – Çdo ditë është 8 Mars, e cila u mbajt më 5 mars 2026, në Librarinë Dukagjini në Prishtinë. Në një atmosferë intime dhe reflektuese, poetë, gazetarë, aktorë dhe artistë u mblodhën për të ndarë fjalë që nuk janë vetëm vargje, por edhe qëndrim, kujtesë dhe shpresë.

Mbrëmja u moderua nga aktorja Xhejlane Tërbunja, e cila e udhëhoqi publikun në një udhëtim poetik mes dy temave të rëndësishme të diskutimit: “Butësia nuk është dobësi” dhe “Mbrapa heshtjes.”

Nata u hap me interpretimin e këngëtares A R B Ë R E S H Ë, zëri i së cilës krijoi një atmosferë të ndjeshme dhe meditative, duke e kthyer hapësirën në një vend ku arti dhe reflektimi bashkëjetojnë. Më pas, Xhejlane Tërbunja e nisi natën poetike me poezinë “Phenomenal Woman”, duke sjellë një homazh për forcën, dinjitetin dhe vetëdijen e gruas për fuqinë e saj.

Paneli i parë mblodhi poetët Vlora Konushevci, Sejnur Veshall, Žarko Milenkoviç dhe Flutur Mustafa, të cilët përmes vargjeve dhe reflektimeve të tyre prekën dimensione të ndryshme të butësisë, duke treguar se ndjeshmëria shpesh është forma më e thellë e rezistencës.

Në panelin e dytë, gazetarët Aurora Susuri, Edita Doli, Ardiana Salihu-Gashi, Iliri Pireva dhe Naile Dema-Selmani reflektuan mbi temën “Mbrapa heshtjes”, duke ndarë përvoja dhe mendime mbi historitë që shpesh mbeten të pathëna dhe mbi rëndësinë e zërit në një shoqëri që ende mëson të dëgjojë.

Aktorët Njomëza Ibraj-Fetiu, Artan Geca, Xhevdet Doda, Lulzim Bucolli dhe Dukagjin Podrimja, të cilët përmes interpretimit dhe reflektimeve të tyre dëshmuan se teatri dhe poezia janë dy forma të së njëjtës përpjekje njerëzore: për të treguar të vërteta, për të ndarë dhimbje dhe për të hapur hapësira dialogu.

Në fund, energjia e mbrëmjes u përqendrua tek poetët e rinj Hana Ejupi, Alsea Ymeri dhe Lind Duraku sollën një frymë të re poetike — të drejtpërdrejtë, të guximshme dhe të gjallë.

“Poezi për Fuqi” ishte një hapësirë ku fjala u bë solidaritet, ku përvoja personale u kthye në kujtesë kolektive dhe ku arti u shndërrua në një akt të vogël, por të rëndësishëm rezistence.

Sepse kur gratë ndajnë historitë e tyre, kur vargjet bëhen ura mes përvojave dhe kur zërat bashkohen, lind një forcë e re — një forcë që nuk ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar.

Një forcë që, ashtu si në vargjet e Maya Angelou, gjithmonë di të thotë: ne do të ngrihemi.

Ky aktivitet u organizua nga Artpolis me mbështetje të FRIEDA, UNFPA dhe MKRS.

You may also like