“Prapa Ekranit”, vetëdijëson të rinjtë për rreziqet e dhunës online
4 Mars, 2026

04.03.2026
Më 4 mars, 2026 në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, shfaqja “Prapa Ekranit”, me regji të Zana Hoxhës dhe aktorët Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi, solli një përvojë të fuqishme forum-teatri për të rinjtë.
Në skenë u trajtuan marrëdhënie komplekse dashurie, duke u përballur me manipulimin, kontrollin, presionet digjitale dhe ndikimin e “manosferës” në jetën e përditshme. Përmes personazheve, shfaqja evidentoi se si përdorimi i teknologjisë shpesh shndërrohet në kontroll dhe dominim, duke u justifikuar me “kujdesin” apo “dashurinë”, por duke krijuar kufizime dhe presion të heshtur.
Nxënësit reaguan aktivisht pas shfaqjes, duke bërë pyetje dhe duke reflektuar mbi realitetin e dhunës online:
– Pse dominimi mbi partnerin shihet si i rëndësishëm për disa?
– Si ndihet dikush kur përjeton kontroll dhe manipulim?
– Kur kufizohet liria e partnerit, a është lidhje apo burg?
– A mund të ketë dashuri pa besim dhe kontroll?
Nxënësja Suhejla Bunjaku është shprehur “Dashuria pa besim bëhet kontroll, dhe kontrolli nuk është mbrojtje – është frikë e maskuar si kujdes. Kur dikush përpiqet të të kontrollojë në emër të dashurisë, kjo tregon më shumë për pasigurinë e tyre sesa për dashurinë që kanë.”
Kurse nxënësja Bora Devaja ka thënë se, “Dhuna e burrit ndaj gruas është e gabuar dhe e papranueshme. Respekti nuk kërkon të vendosësh, por të dëgjosh dhe të respekotosh tjetrin. Nëse je në një lidhje ku partneri mendon se ka gjithmonë të drejtë, largohu për një jetë të lirë.”
“Kontrolli dhe kujdesi nuk janë i njëjti gjë; dhuna nuk është dashuri, por është krim.”
Shfaqje si “Prapa Ekranit” janë ftesë për dialog, reflektim dhe vetëdijesim mbi rreziqet e dhunës online.
Shfaqja u organizua nga Artpolis, me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute.



















