Festivalet Përfaqësimet Shfaqjet Teatrale

Shfaqja dans teatër “Totem dhe Tabu” me dy prezentime në Turqi

17 Mars, 2022

17.03.2022

Rrugëtimi ndërkombëtar i shfaqjes dans teatër “Totem dhe Tabu” në vitin 2022 nis me dy prezentime në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Vendeve të Ballkanit që mbahet në Bursa nga 10-24 mars 2022.

“Totem dhe Tabu”, që është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar, do të prezentohet më 19 dhe 20 mars 2022 para publikut në Turqi.

E krijuar nga Artpolis në vitin 2021 “Totem dhe Tabu” është shfaqja e parë profesionale e krijuar nga Trupa Artistike Rezidente e Artpolis, me një numër rekord të publikut në Teatrin Kombëtar, duke përfshi edhe reprizat, dhe po në këtë vit ka përfaqësuar Kosovën në festivalin “Skampa International Theatre Festival” në Elbasan, derisa ka pasur dy prezantime në Kroaci, në Pula dhe Zagreb, për të shënuar manifestimin “Ditët e Kulturës Shqiptare në Kroaci”.

Me koreografi nga Robert Nuha dhe dramaturgji të Zana Hoxhës shfaqja ngrehë pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, traumat, ndikimin e teknologjisë dhe Covidit, hipokrizinë, por pa ardhur në konkludime, me synimin që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe gjuhë abstrakte të konkretizuar herë-herë me fjalë, si element tjetër i rëndësishëm.

Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda “Kornizave” individuale dhe kolektive që janë Tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.

Gjetja e qetësisë dhe paqes pas stuhive të mëdha të ndërlidhura me dhunën emocionale, fizike dhe traumat e së kaluarës ndërthuret me traditat si Totem i bartur ndër gjenerata, i ndërlidhur me kanunet dhe zakonet që shpeshherë shtypin dhe promovojnë pabarazi, të cilat ende barten si mbetje të së kaluarës në gjeneratat e reja!

Në një kohë para dhe pas pandemie personazhet tona adaptohen, ndryshojnë, evoluojnë por edhe ballafaqohen me frikërat e tyre më të fshehta dhe të pa arsyetuara. Ato ngrenë kokë si pasojë e izolimit dhe shkaktojnë histeri, paranojë dhe reflektim lidhur me vrasjet, kanunin e traumën ndër gjenerata, si dhe përpjekjet e pandalshme për dashuri e paqe.

Koreograf: Robert Nuha

Dramaturgjia: Zana Hoxha

Aktoret/ët: Blerta Gubetini, Qëndresa Kajtazi, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli.

Muzika/Piano: Alzan Gashi.

Kostumografe: Yllka Brada

Asistente teknike: Elira Lluka

Ndriçimi: Mursel Bekteshi

Inspiciente: Nazmije Krasniqi

Rrobaqepës: Shemsi Avdiu, Lulzime Halimi, Remzie Haziri

#artpolis #art #comminty #bursa #festival #totemdhetabu

You may also like