Nga rrënojat e luftës tek qëndrueshmëria, “Gratë e Trojës” me…
6 Nëntor, 2024
20.03.2019
Komuna e Lipjanit, me datë 20 mars, 2019, mirëpriti shfaqjen Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” në Qendrën e Kulturës “Tahir Sinani”.
Forum teatri trajtoi një temë të ndjeshme kolektive, që ka prekur gati çdo vend të dalë nga konflikti, çdo vajzë, grua apo familje që i kanë mbijetuar dhunës seksuale. Kjo histori që s’ka fjetur kurrë në mendjet e atyre që u ka ndodhur, është traumë kolektive që ka përlotur burra, gra dhe fëmijë, që ka gjujnëzu një komunitet, dhe që vazhdimisht kërkohet drejtësi për të gjithë ata/ato të cilët bashkjetojnë me këtë ngjarje.
Zonja Mira (personazhi i performancës) ka gjetur forcën që të kthehet në vendlindjen e saj, në Kosovë, pas 20 viteve, që të njoftohet me familjen e Anës, që është e dashura e djalit të saj, Drenit. E emocionuar dhe me ndjenja të përziera, ajo u përball me një botë të prapambetur dhe paragjykues. Zonja Mira u ballafaqua me Agronin, babain e Anës, i cili kategorikisht kërkoi ndërprerjen e lidhjes së dy të rinjve, pikërisht për shkak të së kaluarës së zonjës Mira. Ajo e zhgënjyer me mentalitetin e njejtë që mbretëronte në Kosovë, fuqishëm iu kundërvy Agronit për t’ia bërë me dije që ajo ishte një e mbijetuar e luftës dhe gjithmonë kokëlartë përderisa asnjëherë nuk do të përulet para njerëzve gjykues sikurse puna e Agronit.
Performanca e shkëlqyer e aktorëve por edhe moderimi profesional diskutues i hapur në fund të shfaqjes, arriti ti bashkojë brenda një salle një publik divers si nxënës, studentë, zyrtarë të lartë të komunës, përfaqësues të institucioneve tjera, përfaqësues të bashkësisë islame, aktivistë si dhe qytetarë të tjerë gra e burra, që të bashkëbisedojnë dhe debatojnë me personazhet e shfaqjes. Të gjithë pjesëmarrësit e audiencës, me pyetjet dhe komentet e tyre, luftuan padrejtësitë dhe përkrahën të mbijetuarën e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mbrojtën dashurinë e dy të rinjve ndërsa kritikuan sjelljet e antagonistit.
Regjisor/Moderator: Lulzim Bucolli
Aktor/e: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi dhe Gani Rrahmani.
Kjo shfaqje është krijuar në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive”, Projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis, në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit.