Aktivitetet Punëtoritë

“TAKIM DHE NJOFTIM” me Zanatlinjtë – Mitrovicë Veriore

23 Prill, 2019

05.04.2019

Në një ambient pak më ndryshe se në qytetet tjera trashëgimia kulturore jomateriale u prezantua para të rinjve dhe të rejave në Mitrovicën Veriore, në Qendrën Aktiv. Kjo ishte edhe vizita e katërt dhe e fundit e kësaj pjese të projektit, realizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, për promovimin e artit dhe artizanatit përmes aktivitetit “TAKIM DHE NJOFTIM” me zanatlinjtë. Të mbledhur në një sallë, aktiviteti u zhvillua gjatë gjithë ditës dhe u përcjell me interesim nga pjesëmarrësit /et.

Duke filluar prej orës 12:00, u prezantuan punime nga tre gra. Znj. Ljiljana Dražević prezantoi procesin e thurjes, znj. Ivana Dobrić prezantoi punimet e saja dhe procesin e punëdores dhe bizhuterive dhe znj. Tanja Ivaz procesin e dekorimit të objekteve përmes letrës ngjitëse dhe ngjyrave.

Të rinjtë/rejat nga katër qendrat e Kosovës (Gjakova, Mitrovica e Veriut, Prishtina dhe Gjilani) përbrenda këtij aktiviteti, të mbledhur në një sallë, patën mundësinë ta kalojnë ditën së bashku të dëgjojnë rreth zanateve që këto gra me aq mjeshtri i zotëronin, por edhe të përfshihen edhe vetë në disa procese të punës.

Gjatë kësaj vizite, që i gjasonte më shumë një panairi të punës, djemtë dhe vajzat pjesëmarrës/e të kësaj punëtorie arritën të mësojnë gjëra të reja rreth artizanateve të zonjave por edhe të mësojnë për historinë e tyre.

“TAKIM DHE NJOFTIM” me zanatlinjtë, promovon artin dhe artizanatet dhe është pjesë e projektit “Promovimi i diversitetit kulturor dhe mirëkuptimi përmes artit dhe përfshirjes së të rinjve” dhe është pjesë e grantit financiar të projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” zbatuar nga UNDP Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Stabilitet dhe Paqe – European Union’s Instrument contributing to Stability and Peace (IcSP).

You may also like