Aktivitetet

Të rinjtë inspirohen nga trashëgimia shpirtërore, etnologjike dhe kulinare e Gjakovës

26 Mars, 2026

25.03.2026

Më 25 mars 2026, të rinjtë vizituan Gjakovën për të zbuluar trashëgiminë e saj kulturore – shpirtërore, etnologjike dhe kulinare.

Fillimisht u pritën në Teqen e Madhe nga Kati Zhubi, ku ndjenë qetësinë e traditës sufiste. Pastaj shijuan magjinë e samunave me suxhuk, duke parë nga afër përgatitjen e tyre nga Zekë Temaj. Ecja në Çarshinë e Vjetër i çoi te punëtoria e saraqit Fehmi Vejsa dhe djepaxhiu Ruzhdi Qarri, për të vazhudar te Frashër e Violeta Osa, ku panë nga afër veshjet tradicionale me qëndisje delikate. Vizita kulmoi te Xhamia e Hadumit, monumenti i bukur i shekullit XVI.

Pjesëmarrësit e përshkruan këtë si një përvojë të bukur e të vlefshme, për të mësuar dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Gjakovës, një qytet që të përqafon ngrohtë me pasionin për punën, jetën e artin.

“Ja ka vlejt shumë kjo vizitë dhe mendoj që të rinjtë duhet me ardh edhe me e provu një eksperiencë të tillë”, u shpreh Zara Ersuzi.

Kurse Andi Haziri ka thënë se, “Vizitat më kanë pëlqyer shumë, sidomos samunat tradicionale dhe Teqeja ku mësova gjëra të reja”.

Për Andi Maloku kjo ka qenë një përvojë unike në Gjakovë, “…një ditë e bukur që do ta mbaj mend gjatë”.

Kurse Albulena Arifi ka thënë: “Sot kam kaluar shumë mirë… nëse më kish ardh mundësia, e kisha bë prapë me shumë qef”.

Një ditë e shkurtër, por e mbushur me shije, histori dhe ngrohtësi njerëzore. Gjakova na tregoi se trashëgimia nuk është vetëm e shkuar – është e gjallë dhe mund të shijohet e promovohet përditshëm.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Heritage Horizons: A Journey Across
Generations” të Artpolis në kuadër të programit BOOST Balkans, financuar nga AFD – Agence
Française de Développement të koordinuar nga ALDA Balkans.

You may also like