
“Shpirti” – një udhëtim skenik i shërimit shpirtëror
30 Prill, 2025
28 Prill, 2025
26-27.04.2025
Në një atmosferë të ngrohtë, plot energji dhe kreativitet, më 26 dhe 27 prill 2025, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet organizoi punëtorinë dyditore “Youth Networking Event”, e cila bashkoi 19 të rinj dhe të reja nga klubet teatrore të shumë qyteteve të Kosovës. Ky takim u shndërrua në një hapësirë të veçantë reflektimi, mësimi dhe lidhje, duke nxjerrë në pah fuqinë e teatrit jo vetëm si art, por si një mjet për zhvillim personal, social dhe qytetar.
Të rinjtë morën pjesë në një seri ushtrimesh praktike dhe diskutimesh të udhëhequra nga mentorët Zana Hoxha, Blerta Gubetini, Edlir Gashi, Fitore Broqi, Ismaili Kasumi, Labinot Raci, Qendresa Kajtazi, dhe Elira Lluka. Përmes lojërave teatrale, punës në grup, improvizimeve dhe teknikave të ndërgjegjësimit emocional e trupor, pjesëmarrësit forcuan aftësitë e tyre artistike në ndërtimin e karaktereve dhe skenave, por edhe zhvilluan një sërë shkathtësish të jetës, të cilat shtrihen përtej skenës.
Të rinjtë ndanë me emocion reflektimet e tyre mbi përvojën në klubet teatrore. Për shumë prej tyre, skena ishte vendi ku mposhtën frikën, ku gjetën zërin e tyre, dhe mësuan si të shprehin ndjenjat pa pasur frikë. Aftësia për të bashkëpunuar, për të dëgjuar të tjerët, për të qenë të durueshëm dhe për të menaxhuar kohën dhe emocionet janë vetëm disa nga mësimet që përmenden shpesh nga pjesëmarrësit.
“Klubi teatror na ka ndihmuar të jemi më të hapur, të mos ngurrojmë të shprehim mendimet tona, të njohim njerëz të rinj dhe të përshtatemi me mentalitete të ndryshme,” u shpreh një nga pjesëmarrëset. Për shumë të tjerë, teatri ka ndikuar drejtpërdrejt për të mësuar mbi rëndësinë e disiplinës, përpjekjes së vazhdueshme, menaxhimit të kohës e bashkëpunimit.
Përtej skenës, klubet teatrore kanë qenë për të rinjtë një hapësirë ku adresohen çështje sociale, përfshirë barazinë gjinore, dhunën, diskriminimin dhe të drejtat e njeriut. Këto tematika janë trajtuar jo vetëm në shfaqjet që ata kanë realizuar, por edhe në procesin e krijimit, ku janë ndërtuar bashkëbisedime të hapura dhe të thella.
“Ky trajnim na ka frymëzuar që të vazhdojmë të angazhohemi në komunitet, të krijojmë projekte që përfshijnë të rinj nga të gjitha etnitë dhe grupmoshat,” shprehet një pjesëmarrës tjetër.
Shumë prej të rinjve që morën pjesë shprehin dëshirën për të vijuar në rrugën e artit, duke e parë teatrin si thirrje dhe profesion të ardhshëm. Të tjerë synojnë të jenë aktorë të ndryshimit në komunitetet e tyre – si trajnerë, aktivistë apo edukatorë, duke i përdorur teknikat teatrale si mjete për vetëdijesim dhe fuqizim shoqëror.
Nga loja me karrige te ndërtimi i “kornizave të ngrira” që përfaqësojnë temat shoqërore, nga ushtrimet e reflektimit emocional deri tek performancat kolektive, “Youth Networking Event” dëshmoi se teatri është shumë më tepër se një art – është një formë edukimi, një udhë për zhvillim personal dhe një instrument për transformim shoqëror.
Në një kohë kur të rinjtë përballen me pasiguri dhe sfida të mëdha, kjo përvojë e përbashkët në teatër i forcon, i lidh dhe u jep zë.
Siç e përshkruajnë vetë ata: “Në teatër mësuam se gabimi nuk është fundi i botës, përkundrazi – është pjesë e procesit kreativ. Dhe se duhet të jemi gjithmonë vetvetja, pavarësisht çfarë thonë të tjerët”.
Ky aktivitet është realizuar nga Artpolis me mbështetje të Frieda.