Forum Teatri

“Tech-no” me mesazhe rreth ndikimeve negative të teknologjisë

11 Dhjetor, 2023

08.12.2023

Më 8 dhjetor, 2023 Klubi Teatror në Klinë ka prezantuar shfaqjen forum teatër “Tech-no”, në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.

Përmes kësaj shfaqje të rinjtë dhe të rejat e përfshirë në këtë klub teatror kanë shpërfaqur varshmërinë e të rinjve nga teknologjia, ndikimit negativ të përdorimit të shumtë të telefonit, që shpesh herë na qon në cenimin e privatësisë.

“Tech-no” ishte një thirrje nga këta të rinj që të ndalet bullizmi kibernetik, e keqpërdorimi i telefonave nga ana e nxënësve në shkolla.

E prezantuar para më shumë se 200 personave në audiencë, kjo shfaqje nxiti debat edhe me audiencën që parashtruan pyetje të shumta për personazhet, duke vënë në pah problemet e shumta që vijnë nga teknologjia.

Procesi krijues në klubin teatror për këta të rinj, përveç njohurive mbi teatrin ka shërbyer edhe si rritje vetëbesimit dhe tejkalim të frikës për t’u përballur publikun.

“Bashkëpunimi me Artpolis ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe na ka ndihmuar shumë në rritjen e vetëbesimit, dhe na ka mësuar shumë për botën e teatrit dhe procesin e krijimit të shfaqjes”, ka thënë Ergi Limanaj, që ka luajtur në këtë shfaqje.

Kurse Brenda Gojani ka theksuar efektet negative që ka teknologjia tek të rinjtë.

“Bashkëpunimi me Artpolis ka qenë kënaqësi shumë e madhe, pasi më ka ndihmuar në shumë sfera siç është rritja e vetëbesimit. Besoj dhe shpresoj që përmes kësaj shfaqje jemi munduar të nxjerrim në pah anët negative të teknologjisë. Besoj se më shumë po na shpenzon teknologjia neve, sesa ne atë, i kemi dhënë hapësirë shumë më shumë se që na nevojitet, dhe ndarja e videove ose fotografive nuk është gjë e mirë për shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.

Aulona Smajli është shprehur shumë e lumtur që ishte pjesë e këtij krijues.

“Sot e përfunduam me sukses shfaqjen “Tech-no”. Me të vërtetë është bukur kur merresh me aktivitete e sidomos me aktrim. Organizata Artpolis na ka ndihmuar që të kemi më shumë vetëbesim, të jemi më të hapur para publikut. I falënderoj shumë që na mundësuan të realizojmë këtë shfaqje”, ka thënë ajo.

Në këtë shfaqje luajtën: Aurela Gashi, Aulona Smajli, Alena Gashi, Blediona Manaj, Brenda Gojani, Ergi Limanaj, Eronita Gashi, dhe Farie Gashi.

Këta të rinj dhe të reja u mentoruan dhe u përgatitën nga Ansambli i Artpolis: Shpëtim Selmani, Qendresa Kajtazi, dhe Labinot Raci.

Ky aktivitet u organizua nga Artpolis me mbështetje të Frieda, Fondacionit Joseph Handleman “I Believe in You”, MKRS-së dhe Komunës së Klinës.

You may also like