Forum Teatri

Themelohet Klubi Teatror në Ferizaj

18 Shkurt, 2025

18.02.2025

Më 18 shkurt 2025, Artpolis, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të Artit “Çesk Zadeja”, ka themeluar Klubin Teatror në Ferizaj.

Ky aktivitet synon të krijojë një hapësirë të sigurt dhe frymëzuese për të rinjtë, ku ata mund të shprehin kreativitetin e tyre, të zhvillojnë aftësitë skenike dhe të eksplorojnë temat që i prekin më së shumti përmes teatrit.

Pjesëmarrësit e klubit do të angazhohen në këtë proces krijues përmes trajnimit “Edukimi i Bazuar në Teatër”, duke i ndihmuar të kuptojnë fuqinë e artit si mjet për reflektim dhe ndryshim shoqëror. Nën mentorimin e aktorëve Kushtrim Qerimi dhe Dora Xhemajli, ata do të punojnë mbi konceptin e dramës klasike “Romeo dhe Zhulieta” të William Shekspirit, duke e shikuar atë nga këndvështrime bashkëkohore dhe duke hulumtuar temat e dashurisë, përçarjes dhe rebelimit të të rinjve në shoqëri.

Si pjesë e këtij procesi, të rinjtë do të përfshihen në krijimin e një shfaqjeje forum teatër, një formë interaktive e cila synon jo vetëm të sjellë një histori në skenë, por edhe të nxisë audiencën të reflektojë dhe të ndërveprojë me personazhet. Përmes kësaj metode, ata do të trajtojnë tema sociale të rëndësishme, duke ftuar publikun të bëhet pjesë e dialogut dhe të eksplorojë mundësi të ndryshme për ndryshim.

Përveç aftësive skenike, pjesëmarrësit do të zhvillojnë edhe një sërë shkathtësish jetësore që do t’i ndihmojnë në aspektet e tjera të jetës së tyre. Nëpërmjet punës në grup, improvizimit dhe ndërtimit të skenave, ata do të përmirësojnë komunikimin, bashkëpunimin, mendimin kritik dhe zgjidhjen kreative të problemeve. Interpretimi i roleve dhe analizimi i temave sociale do t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë botën përreth tyre dhe të fuqizohen për të vepruar si qytetarë aktivë.

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis në bashkëpunim me Shkollën “Çesk Zadeja”, me mbështetjen e Frieda dhe Ministrisë së Kulturës.

You may also like