Nga rrënojat e luftës tek qëndrueshmëria, “Gratë e Trojës” me…
6 Nëntor, 2024
1-5 qershor, 2023
Udhëtimi studimor edukativ 10 ditor në kuadër të programit “Thyerja e Barrierave Ndërkulturore”, nga Kosova vazhdoi në Serbi, gjegjësisht në Beograd dhe Novi Sad. “Thyerja e Barrierave Ndërkulturore”, është iniciativë gjithëpërfshirëse e krijuar për të promovuar dialogun ndërkulturor, bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Për 5 (pesë) ditë radhazi, nga 1-5 qershor, 14 artistet/ët e rinj nga Kosova dhe Serbia, së bashku me grupin organizativ nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR) dhe Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis krahas punëtorive vizituan edhe institucionet kulturore të të dy qyteteve.
Në Novi Sad, ambienti i Unionit të Shoqatave Rinore OPENS, ishte nikoqire e grupit entuziast të artisteve/artistëve të rinj për të dëgjuar ligjërata motivuese nga filologia/dramaturgia, Aleksandra Gjuriq Bosniq dhe gazetarja/ekspertja për punë me të rinj Jelena Bozhiq. Praktikat e ndryshme, historitë dhe shembujt e bashkëpunimit rajonal por edhe të rezistencës së artistëve të ndryshëm nga Serbia ndaj luftërave në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, ishin njëra nga temat e trajtuara.
Takimet e pjesëmarrëseve/ëve të programit “Thyerja e Barrierave Ndërkulturore” me bashkëthemelueset dhe regjisoret e Dah Teatrit, Dijana Millosheviq dhe Jadranka Anxheliq, e poashtu edhe me historianin e artit Branko Dimitrijevic dhe regjisorin e filmit Stevan Filipoviq, ishin jo vetëm informuese por edhe edukative në aspektin e rëndësisë së bashkëpunimit rajonal, bashkëprodhimeve artistike e kulturore, që do t’i shërbenin popujve të të dy vendeve fqinje në rritjen e vlerave artistike, kulturore me fokus në ndërtimin e paqes.
Bashkëbisedimi me themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi njëkohësisht edhe aktiviste për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko u mirëprit nga grupi të cilët me entuziazëm dëgjuan historitë dhe informatat rreth aktivizmit të saj, por edhe të aktivistëve të tjerë në ngritjen e zërit kundër luftës në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Udhëtimi studimor edukativ 5 ditor, në Serbi, i këtij grupi divers artistësh të rinj përfundoi me vizitën në Qendrën për Dekontaminimin e Kulturës në Beograd ku i priti menaxherja Lola Joksimoviq për t’i informuar më shumë rreth projekteve dhe rolit të kësaj qendre në artin dhe kulturën urbane të qytetit, aty ku e vërteta pavarësisht sfidave dhe vështirësive dhe politikave shtetërore arrin të adresojë shumë çështje politike dhe sociale. Në fund të gjithë ishin prezent në shfaqjen “Auteticna tumacenja”: ’68, dedikuar themelueses së qendrës, artistes dhe aktivistes së njohur Borka Paviçeviq.
Programi, i cili zbatohet që nga marsi i vitit 2015, drejtohet nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR), dhe gjatë tre viteve të ardhshme do të zhvillohet në bashkëpunim me Artpolis nga Prishtina dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian.