Punëtoritë

Ulpiana frymëzuese: Fuqizimi i të rinjve përmes trashëgimisë kulturore

29 Janar, 2026

28.01.2026

Punëtoria “Fuqizimi i të rinjve përmes trashëgimisë kulturore”, e mbajtur më 28.01.2026, u zhvillua në dy pjesë dhe u përmbyll me sukses, duke mbledhur 24 të rinj në një përvojë të përbashkët mësimi dhe frymëzimi. Pjesa e parë u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ku pjesëmarrësit morën njohuri teorike mbi rolin dhe rëndësinë e të rinjve në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe u trajnuan në aspektet teknike të krijimit të një Reel – nga ideimi dhe xhirimi, deri te montazhi dhe publikimi i përmbajtjes kreative, nën udhëheqjen e ligjërueseve Albana Gashi dhe Erzë Uka.

Pjesa e dytë u zhvillua në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, ku të rinjtë aplikuan njohuritë e fituara në pjesën e pare të punëtorisë, duke krijuar përmbajtje kreative dhe duke e shndërruar historinë në rrëfim vizual. Ata u udhëhoqën nga ciceronët Atdhe Prelvukaj dhe Ismail Gagica, të cilët ofruan informacione të detajuara rreth trashëgimisë arkeologjike të Ulpianës. Njëri nga pjesëmarrësit theksoi: “Përveç pjesës teorike që u shpjegua, patëm mundësinë që në të njëjtën ditë të aplikojmë njohuritë direkt në terren me informacione shumë të freskëta.”

Si rezultat i kësaj përvoje, të rinjtë krijuan Reels që do të përdoren për të promovuar trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke bashkuar dijen teorike me përvojën praktike të fituar në terren dhe duke sjellë historinë në një format digjital tërheqës.

Me histori që shtrihet nga periudha neolitike deri në kulmin e saj gjatë periudhës romake, Ulpiana u zhvillua si një qendër e rëndësishme urbane e njohur si Municipium Ulpiana Splendissima. Sot, si park arkeologjik i mbrojtur, ajo jo vetëm që ruan gjurmët e qytetërimit të lashtë, por edhe frymëzon të rinjtë që të bëhen ambasador për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Heritage Horizons: A Journey Across Generations” të Artpolis në kuadër të programit BOOST Balkans, financuar nga AFD – Agence Française de Développement (AFD) të koordinuar nga ALDA.

You may also like