Shfaqjet Teatrale

“Vojceku” i Zana Hoxhës: Një tragjedi e tjetërsimit dhe dhunës shoqërore

22 Shkurt, 2025

21.02.2025

Jeta e Vojçekut është një poezi e dhimbshme e tragjedisë së individit, një përjetim i pafundmë i përçmimit dhe keqtrajtimit që çon në shpërbërje dhe vetëshkatërrim. Përmes transformimit të dramës së Georg Büchnerit, të përshtatur nga dramaturgu Jack Thorne, Zana Hoxha solli një verzion bashkëkohor dhe universalisht të dhimbshëm të kësaj historie, duke e kthyer Vojçekun në një simbol të dehumanizimit dhe tjetërsimit.

Më 21 shkurt 2025, në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë, shfaqja erdhi një pasqyrë të thellë të individit të dehumanizuar, ku çdo detaj skenik, ishte një reflektim i mundimeve të një njeriu që humb lidhjen me realitetin e tij. Regjia e Hoxhës fokusohej në gjendjen psikologjike të protagonistit, duke e pasqyruar mënyrën se si ai, përmes një eksperience të pafund dhune, humbet jo vetëm identitetin, por edhe aftësinë për të vepruar si një subjekt i lirë.

Fati i Vojçekut është i paracaktuar: dhuna dhe traumat që ai ka përjetuar që në fëmijëri e çojnë atë drejt një fundi tragjik. Ai shndërrohet në një objekt eksperimentesh dhe një ushtar pa zë. Vojceku është viktimë e një bote që e përdor, por nuk e pranon si të barabartë.

Në skenën e konceptuar nga Grace Rumsey, gjithçka është e mbuluar nga një errësirë e padukshme. Ngjyrat e ftohta, materialet plastike dhe objektet që krijojnë një atmosferë të ngurtë, shërbejnë si simbole të robërisë së individit. Ky është një vend ku liria nuk ekziston, dhe çdo hap është i mbërthyer në grackat e një sistemi që e përjashton njeriun nga çdo mundësi për të jetuar si individ i plotë.

Me gjithë tragjedinë që ajo përmban, shfaqja nuk është thjesht një portret i Vojçekut, por një thirrje alarmante ndaj shoqërisë. Ajo pasqyron përmasat e asaj që mund të ndodhë kur njeriu humb lidhjen me njerëzoren dhe të drejtat themelore të tij. “Vojceku” la një jehonë të thellë te publiku, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi padrejtësitë shoqërore, dhunën, tjetërsimin e individit dhe, mbi të gjitha, mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe përgjegjësinë kolektive që bartim si shoqëri.

Premierën e “Vojçekut” paten rastin ta ndjekin rreth 580 persona në audiencë.

Kjo shfaqje është bashkëproduksion i Teatrit “Hadi Shehu” dhe Artpolis mbështetur nga Komuna e Gjakovës dhe UNFPA.

📸 Rilind Beqa

You may also like