“Vetëm” me mesazh kundër stigmatizimit shoqëror të grave
23 Dhjetor, 2024
10.04.2019
Komuna e Istogut, me datë 10 prill, 2019, i hapi dyert e qendrës kulturore “Adem Jashari” për të mirëpritur shfaqjen Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde”.
Ky qytet i bukur, i rrethuar me male dhe lumenj, me gjelbrim dhe ajër të pastër por me një jetë jo shumë të pasur kulturore dhe artistike, atë ditë të freskët, në zemër të qytetit, nga qendra kulturore, u zgjua nga brohoritjet dhe duartrokitjet e publikut.
Forum teatri emocionoi audiencën prej 200 veta me performancën e bukur të aktorëve. Publiku bashkëveproi me pjekuri dhe interesim në diskutimin e hapur pas performancës, duke i dhënë ngjyra dhe fuqi edhe më shumë shfaqjes.
Tema që u trajtua krijoi një atmosferë të ndjeshme por edhe të bukur. Humori i lehtë dhe tipik shqiptar i Agronit, njëherit edhe antagonistit të shfaqjes (aktori Kushtrim Qerimi) ua fitoi zemrën publikut përderisa vendosmëria dhe qetësia shpirtërore e zonjës Mira (aktorja Anisa Ismajli) e bëri audiencën ta çmojë dhe ta dojë. Të rinjtë e dashuruar, Dreni dhe Ana (Gani Rrahmani dhe Qendresa Kajtazi), me lojën e tyre të bukur, pasqyruan një rini të pastër, të çiltër dhe të hapur ndaj shoqërisë, e të pranishmit në publik i adhuruan për këtë.
“Dashuria e dy të rinjve, Drenit dhe Anës, nuk duhet ndaluar nga Agroni dhe nuk duhet të mbetet peng për shkak të së kaluarës së zonjës Mira; Zonja Mira nuk ka faj për atë që i ka ndodhë asaj gjatë luftës; Ajo nuk është viktimë, por një heroinë që vazhdon t’iu bëjë ballë paragjykimeve dhe mentalitetit patriarkal që zotëron në Kosovë”, ishin disa nga deklaratat që u thanë gjatë diskutimit të hapur me publikun.
Lufta dhe vetëdijësimi i shoqërisë për të kërkuar drejtësi për ata/ato të cilët përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës, integrimi në shoqëri dhe përkrahja e vazhdueshme ndaj tyre ishte mesazhi që në fund u dha nga moderatori i shfaqjes.
Regjisor/Moderator: Lulzim Bucolli
Aktor/e: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi dhe Gani Rrahmani.
Kjo shfaqje është krijuar në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive”, Projekt i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nën Instrumentin Evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, zbatuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Artpolis, në partneritet me Institucionin e Avokatit të Popullit.