“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
18.10.2019 – 20.10.2019
Të rinjtë/rejat nga Mitrovica, Fushë Kosova, Novobërda dhe Kamenica, pjesëmarrës të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë, përfshirë: shqiptarë, serbë, boshnjakë, turk dhe romë, morën pjesë në trajnimin tre-ditor të “Edukimi i Bazuar në Teatër me bashkëmoshatarë/e – Arti përtej etniciteteve” të mbajtur në Venture Up, Prishtinë, gjatë datave 18-20 tetor, 2019.
Energjia pozitive, lojërat, ushtrimet, njohuritë mbi teknikat e teatrit dhe të aktrimit, krijimet e skenave të vogla teatrale e shumë përvoja tjera u shkëmbyen nën mentorimin e trajnereve Qëndresa Kajtazi dhe Daniela Markaj.
“Ishte kënaqësi dhe nder të jem pjesë e këtij trajnimi tre-ditor. Takova njerëz të rinj dhe fitova njohuri të reja për teatrin dhe aktrimin. Kjo është një përvojë e paharrueshme.” – Amina Jukoviq, Mitrovicë.
“Për këto tre ditët e trajnimit dhe takimit me trajnerë dhe kolegë të tjerë, ishte mirë për mua, nuk shpresoja të takoja miq të rinj në këtë mënyrë, megjithëse nuk jemi me të njëjtën kombësi, ishte mirë dhe e mrekullueshme për ne që të jemi miq në atë mënyrë dhe shpresoj të shoqërohemi përsëri. – Faleminderit shumë të gjithëve, shihemi përsëri, për ju do të jem gjithmonë këtu.” – Nemanja Mitiq nga Novobërda.
Ky lloj trajnimi është dëshmuar që është forma më e mirë e edukimit të grupmoshave të ndryshme sepse përçon mesazhin përmes të rinjve deri tek publiku i gjerë. Edhe Rrezarta Dermaku nga Kamenica, trajnimin “Edukimi i Bazuar në Teatër” do ta përcjellë në punën e saj që e bën me fëmijët me nevoja të veçanta.
“Ju faleminderit përzemërsisht për kënaqësinë që na keni dhuruar gjatë tre ditëve të trajnimit. Kam përshtypje shumë të mira për këtë trajnim, ku shpresoj që se të tillë duhet të ketë në vazhdimësi sepse jep mundësinë çdo individi të shpalosë aftësitë e idetë personale pa pasur frikë. Gjatë këtij trajnimi mësova shumë gjëra të reja lidhur me teatrin dhe elementet e tij, ku mua si asistente e fëmijëve me nevoja të veçanta më ka ndihmuar jashtë mase sepse do ti bart tek nxënësit që të kenë mundësinë që përmes teatrit ata të krijojnë botën e tyre, do ti shpalosin aftësitë dhe ndjenjat e tyre, do të ndihen të lire, do të luftojnë për atë që duan”. – Rrezarta Dermaku, Kamenicë.
Ky trajnim u përkrah nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe u implementua nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis.