Vizitat

KCSF-ja njoftohet për së afërmi me aktivitetet e Qendrës Artpolis

25 Qershor, 2021

24.06.2021

Përfaqësues të KCSF-së, SDC-së dhe SIDA-s mëngjesin e së enjtes, 24 qershor, kanë vizituar zyret e Artpolis – Qendrës për Art dhe Komunitet me ç’rast janë njoftuar për së afërmi për aktivitetet që janë realizuar dhe ato që po zhvillohen në kuadër të programit EJA Kosovë.

Në këtë takim drejtoresha ekzekutive e Qendrës Artpolis, Zana Hoxha, dhe menaxherja e projekteve, Venera Ismaili, dhe pjesa tjetër e stafit shpalosën përvojat e tyre në realizimin e programit EJA, duke filluar nga: bashkë-ndërtimi i lëvizjes feministe në Kosovë, ngritjen e kapaciteteve të OJQ-ve dhe krijimin e rrjetëzimit MULTITON, trajnimet, punëtoritë, shfaqjet teatrore, e aktivitetet e tjera që realizohen duke përdorur artin dhe kulturën si mjete për realizimin e qëllimeve.

EJA Kosovë, që është program i KCSF-së në bashkëfinancim me SDC dhe SIDA, përmes granteve institucionale disavjeçare, mbështet organizata që tashmë janë të konsoliduara dhe kanë strategji të qartë për punën e tyre.

Në këtë vizitë donatorët patën rastin të shohin nga afër edhe pjesë të leximit skenik “Lojëra në Oborrin e Pasmë”, me regji të Zana Hoxhës, që para publikut do të jepet nesër në Parkun e Qytetit në Prishtinë nga ora 20:00.

Pjesë e kësaj vizite në Qendrën Artpolis ishin drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha, drejtori i programit për grantdhënie te KCSF-ja, Fatmir Curri, drejtoresha e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim – SDC, Katharina Stocker, si dhe sekretari i tretë, Menaxheri i Programit Reforma e Administratës Publike, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia në SIDA, Erik Pettersson.

You may also like