Festivalet Panelet e Diskutimit

Konferenca “Teatri si mjet për ndryshim në shoqëri”

27 Korrik, 2023

26.07.2023

Në konferencën “Teatri si mjet për ndryshim në shoqëri”, që u mbajt më 26 korrik, 2023, në ambientet e Shtëpisë së Shani Efendisë, në kuadër të Festivalit të Teatrit në Ambient të Hapur ‘’PrizrenFest’’, morën pjesë artistë të dëshmuar të fushës dhe të moshave të ndryshme, për t’i bërë shumë të afërta për të pranishmit, përvojat që lidheshin me të kaluarën e tyre që ndërlidheshin me tematikën e konferencës. Konferenca kishte të pranishëm rreth njëzet persona që mundësoi që të shpaloseshin kujtime intime, të këndshme dhe të ndjeshme.

Kjo konferencë që kishte për qëllim mbledhjen e përvojave të panelistëve dhe mysafirëve rreth ndikimit të teatrit si medium në shoqërinë kosovare.

Ngjarja që u moderua nga Zana Hoxha – drejtoreshë e Artpolisit, u hap me prezentimin e temës dhe mysafirëve në panel: Meli Qena, Fatos Berisha, Albulena Kryeziu –Bokshi, Agon Miftari, Qëndresa Kajtazi, Blerta Gubetini dhe Aurela Kadriu.

Ndërkohë, dëgjuam ngjarje nga vitet e 90-ta për teatrin Dodona, ku ky objekt grumbullonte publik të etur për të parë dhe dëgjuar shfaqje shqipe, e ndërkohë për shkak se ky teatër ishte i vendosur në një lagje të varfër të Prishtinës, u shndërrua në vendin e preferuar të njerëzve më problematikë të qytetit, sepse teatri është gjithëpërfshirës dhe i pranon të gjithë ashtu siç janë.

Pastaj u diskutua për teatrin që u zhvillua nëpër kampe gjatë luftës në Kosovë, gjatë vitit 1999, për sfidat e pasluftës për ta mbajtur publikun dhe poashtu për sfidat që i hasim në ditët e sotme, ku tematikisht shfaqjet duhet të jenë të përshtatshme për të ngritur pyetje rreth fenomeneve shoqërore dhe zgjidhjeve të mundshme që i ofron teatri. Një nga kërkesat e dala nga kjo konferencë, ishte grumbullimi më i shpeshtë i artistëve të skenës për të kujtuar të kaluarën që do të shërbejë në forcimin e themeleve të teatrit kosovar duke i hapur rrugë strukturimit të së ardhmes së teatrit, dhe shoqërisë pa nevojën e secilës nuk do të mund të mbijetonte edhe vet teatri ndër shekuj.

#artpolis #Prizrenfest

You may also like