“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
06.04 – 09.04.2023
Nën moton “Gratë e reja ndërtojnë paqen” u zhvillua pjesa e parë e Shkollës Pranverore Feministe 2023, duke mbledhur 18 vajza nga Kosova dhe Serbia nga data 6-9 prill, 2023 në Vërnjaçka Banjë/Serbi.
Ligjëruese të këtij edicioni ishin aktiviste dhe feministe të njohura nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, me formime të ndryshme profesionesh, të cilat nga njohuritë, përvojat shumëvjeçare dhe me historitë e tyre të aktivizmit arritën të depërtojnë tek pjesëmarrëset, të marrin vëmendjen e tyre dhe t’i përfshijnë në diskutime. Brenda katër ditëve, në një ambient miqësor dhe të sigurt gratë e reja të Shkollës Pranverore Feministe 2023 zbuluan shumë rreth feminizmit, ndërtimit të paqes, aktivizmit të grave në vitet e mëhershme, pasojat e luftës dhe trajtimet e të mbijetuarave/ëve, solidaritetin por edhe për artin në aktivizëm, si formë praktike dhe fuqizuese e ndërtimit të paqes.
Temat që u ligjëruan në edicionin e tetë të FSS-së ishin: “Aktivizmi dhe Arti”, “Gratë si të tjerët – politika e përfaqësimit në narrativën mediatike”, “Politika e identitetit dhe politika e dallimit”, “Fëmijët e harruar të luftës”, “Paqja qëndron në fuqizimin dhe besimin” – një bisedë për solidaritetin e grave gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, “Afirmimi i grupeve të punës dhe prezantimi i Rrjetit Alumni”.
Koha e kaluar e përbashkët shërbeu që fjalimet inspiruese të ligjërueseve të frymëzojnë pjesëmarrëset e FSS-së 2023 për të punuar në grupe e të marrin iniciativa të përbashkëta me fokus të ndërtimit të paqes. Përmes aktiviteteve kreative gjatë punëtorive, gratë e reja u fuqizuan edhe më shumë përmes lojërave, argëtimeve, shëtitjeve dhe shoqërimeve të përbashkëta që ndihmuan në rrjetëzimin e tyre për të bashkëpunuar edhe më tutje deri në pjesën e dytë te Shkollës Pranverore Feministe, ku do të takohen sërish, në Kosovë.
#artpolis #azd #fss #ktk #gfw #feminist #feminism #peacebuilding #gender #women #woman #womensrights #humanrights #activism #transitionaljustice #diversity #community #leadership