Forum Teatri

Me dy prezantime “Gjithçka”, vë në pah sfidat e nënave vetushqyese

18 Dhjetor, 2023

14-15.12.2023

Shfaqja forum teatër “Gjithçka” me dy reprizat e radhës në Prishtinë dhe Gjilan, ka vënë në pah sfidat e nënave vetushqyese.

Repriza e parë zuri vend më 14 dhjetor, 2023 në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë, kurse repriza e dytë u dha më 15 dhjetor në Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan.

“Gjithçka” erdhi si një rrëfim skenik që shfaq përvojat e grave e veçanërisht grave vetushqyese në shoqërinë tonë dhe pritshmëritë e vendosura për to për të përmbushur role të shumta në të njëjtën kohë. Shfaqja eksploron presionet shoqërore dhe përballjen e fëmijëve me sfidat që vijnë si rezultat i këtij realiteti.

Shfaqja fokusohet në çështjet e theksuara të nënave vetushqyese, prek ndjenjat e tyre, sfidat e përditshme dhe balancimin e detyrave familjare me aspiratat profesionale. Dialogjet e forta dhe momentet e ndërlikuara shpalosin rrugëtimin emocional të këtyre grave, duke lënë hapësirë për reflektim për publikun.

Kjo shfaqje përcjelli publikun në një udhëtim emocional në botën e një nëne vetushqyese, duke hapur dritare për të kuptuar më mirë realitetin dhe sfidat e tyre. Përmes shfaqjes, të rinjtë frymëzuan publikun për të njohur dhe trajtuar këto çështje, të sfidojë normat shoqërore dhe për të nxitur një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për të gjithë.

Pas përfundimit të shfaqjes, publiku pati rastin të parashtrojë pyetje të shumta për personazhet e të japë komente e këshilla për temën e trajtuar. Një debat i gjerë, aktiv dhe i thellë u realizua ndërmjet publikut dhe personazheve duke përçuar mesazhin se dhuna nuk duhet të tolerohet, e shtypja ndaj grave duhet të marrë fund.

Në këtë shfaqje luajtën: Lorea Dauti, Donat Kadriu, Blerza Krasniqi, Bekir Lahi, Teah Kastrati, Besart Krasniqi

“Gjithçka” u krijua nën mentorimin e aktores së Ansamblit të Artpolis, Qendresa Kajtazit.

Kjo shfaqje u organizua nga Artpolis në kuadër të projektit “Barazia Gjinore përmes Artit dhe Aktivizmit”, përkrahur nga UNFPA.

You may also like