“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
01.05.2022
Mbrëmjen e 1 majit, 2022 publiku pati rastin të përjetojë emocione të veçanta në premierën e shfaqjes “ÇIMKA”, me autor Shpëtim Selmani dhe regji të Zana Hoxhës.
E jetësuar në “Shtëpinë me Gjethe”, aty kur dikur përgjoheshin personalitete e qytetarë të thjeshtë, “ÇIMKA” vjen si pasqyrim i të kaluarës së popullit shqiptar, e thirrje për të reflektuar e mësuar nga ajo.
Publiku si “gjeth” apo “çimkë” përjetoi paralelisht dy botë paralele, diktaturën në Shqipëri dhe regjimin jugosllav në Kosovë. Historitë e përgjimeve, torturat, tmerri, dhe shtypja e mijëra shqiptarëve jetësohet me mjeshtëri përmes dy protagonistëve, Dervish Shaqa e Musine Kokalari.
Për regjisoren Zana Hoxha, protagonistët e shfaqjes “ÇIMKA” janë simbole të rezistencës në mënyra të ndryshme: “Një rapsod, qëndrestar përmes këngës, e tjetra një aktiviste, artiste disidente që dha jetën pa humbur integritetin e saj”.
Skenat ndërrohen. Publiku lëviz nga ngushticat e muzeut në hapësirat e jashtme të saj, për t’u prezantuar edhe me ankthin që ka përjetuar populli shqiptar për një kohë të gjatë. Kjo vihet në pah edhe përmes tablosë së Edison Gjergon, një piktor që ishte viktimë e regjimit totalitar në Shqipëri. Ankthi sa vjen e shtohet kur personazhet nuk arrijnë të gjejnë një hapësirë të përshtatshme për ta fshehur pikturën e Gjergos, që ishte goditur nga dora e çeliktë e censurës.
Por, ëndrrat, dashuria për lirinë dhe jetën, këngën dhe vallëzimin kulmojnë në takimin e Dervishit dhe Musinesë, viktima të regjimeve në të dy anët e kufirit. Personazhe që inspirojnë për jetën edhe sot e kësaj dite.
Shfaqja përmbyllet me një mesazh të fuqishëm nga Musine Kokalari: “E vërteta është se këtu mbizotëron frika, terrori. Po kush ka guxim të thotë jo, kush? Askush! Ama brenda zemrës sime sundojnë ëndrrat. E di që nëse jo unë, ata që do të vijnë pas meje do të vallëzojnë, do të hedhin hapat ashtu sikurse duan ata vet. Asnjë sistem sundues nuk do të mund ta hedhë dot rrjetën e tij mbi nevojën e njeriut për të ushtruar vullnetin e lirë”.
Reprizat e shfaqjes “ÇIMKA” 4,5,6,7,11,12,13,14,15 Maj 2022, ora 20:00
Muzeu Kombetar “Shtepia me Gjethe”
Produksioni : Teatri Kombetar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” & Qendra Artpolis
Autor: Shpetim Selmani
Regjisore: Zana Hoxha
Aktorë/e: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi , Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj, Altea Dulellari
Kompozitor: Liburn Jupolli
Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman
Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj
Asistente teknike: Elira A Lluka
Koreografe: Valentina Myteveli
Kjo shfaqje mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Shtëpia e Gjetheve, Zyra e Presidentes së Kosovës, cfd dhe Buçaj.
Andis Rado