“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
06.06.2024
Të rinjtë dhe të rejat e Klubit Teatror në Vushtrri, më 6 qershor kanë prezantuar shfaqjen forum teatër “E Bija”, duke përçuar mesazhe për fuqizim të vajzave dhe emancipim shoqëror.
Përmes monologjeve dhe ngjarjeve të ndryshme të vajzave publiku pati rastin të dëgjojë rrëfime mbi sfidat, paragjykimet e pasigurinë e jetës së vajzave në një shoqëri patriarkale.
Solidariteti feminist i bashkon vajzat, të cilat arrijnë të fuqizohen, të rrisin vetëbesimin dhe të ballafaqohen me problemet që i kanë në jetë. Vajzat e arrijnë çlirim përmes një kursi të vetëmbrojtjes, që iu ndryshon jetën.
Përmes situatave komplekse, veçanërisht në marrëdhëniet familjare, të rinjtë përçuan mesazhe të rëndësishme te publiku, i cili pati pyetje e komente të shumta rreth temës së trajtuar në shfaqje.
Për Arlinda Bilalli, pjesëmarrëse në Klubin Teatror në Vushtrri, kjo ka qenë përvoja më e mirë deri më tash, me ç’rast kanë pasur mundësinë të shprehin idetë e tyre e të mësojnë shumë gjëra nga ky proces.
“Kam kaluar shumë mirë dhe veç një ditë të provave me mungu për mua ka qenë humbje e madhe, por trajnerët e kanë bërë të rëndësishme që mos me munguar asnjëherë. Për mua ka qenë përvoja më e mirë deri tash, se si fëmijë e kam pasur ëndërr aktrimin dhe papritur ka ardhur kjo mundësi. Trajnerët na kanë ndihmuar edhe emocionalisht shumë, pasi ne jemi në shkollë të mesme dhe kemi shumë stres, ata na kanë ndihmuar ta harrojmë stresin. Personalisht e kam pasur shumë të vështirë të shoqërohem me njerëz, jam e shoqërueshme me njerëzit e mi, por me te tjerët e kam problem dhe me dal para tyre kam pasur shumë komplekse. Pra, të dyja këto m’i kanë larguar, nuk e kam kompleks me dal para dikujt me fol. Lojëra ka pas shumë, por disa prej tyre nonstop na kanë mbajtur trurin në funksion, na kanë bo me jetu momentin edhe me u knaq, njëra prej tyre ka qenë loja me topa, e cila na ka bërë të ndihemi shumë mirë. Gjatë procesit kemi pasur shumë diskutime dhe me dhënë ide. Trajnerët na kanë dhënë lirinë që çdo gjë tonën me e përdor në shfaqje”, është shprehur Arlinda Bilalli
Kurse për Edmond Shabanin kjo është një përvojë e paharrueshme, teksa ka theksuar të lirohet me njerëzit dhe të ndihet rehat të bashkëpunojë me një grup më të madh të njerëzve.
“Klubi Teatror është kujtimi im më i mirë. S’mundem me harru kurrë këtë përvojë, edhe ditën e parë edhe ditën e fundit i kam dy kujtimet që nuk do t’i harroj kurrë. Më herët nuk kam qenë i shlirë, e tash edhe pse jemi shumë persona prapë se prapë ndihem shumë rehat, edhe në grupe të tjera, dhe jo vetëm në klub teatror. Edhe në rastet e tjera kur ka shumë persona nuk jam shumë i marrshëm, më është rritur vetbesimi dhe socializimi, pra kam mësuar shumë gjëra nga Klubi Teatror”, ka thënë ai.
Për Dalmina Shalën diskutimet dhe temat e trajtuara gjatë procesit të krijimit të shfaqjes kanë qenë jashtezakonisht të mira, dhe të domosdoshme për të gjithë.
“Jemi ndier shumë të sigurt në këtë ambient dhe kemi bërë shumë ushtrime të mira që na kanë ndihmuar me i rritë krejt aftësitë tona. Gjithashtu na kanë ndihmuar shumë edhe temat dhe diskutimet që kurrë s’i kemi prekë më herët dhe me ditë edhe më shumë për tema të ndryshme. Të gjitha ushtrimet kanë të mira dhe na kanë ndihmuar me u ndi të lirë, si “harta e trupit” që na ka bërë të ndihemi shumë të sigurtë. Kjo shfaqje na ka mundësuar të rrisim krejt kapacitetet tona, si me përçu mesazhe te publiku, si të mos kemi shumë emocione kur jemi para publikut, dhe si me u shpreh lirshëm. Diskutimet na kanë bërë te kemi më shumë informacione për gjithçka dhe nuk jemi ndier keq asnjëherë, dhe diçka që na ka prekur apo është të ndryshojme diçka të gjithë kanë qenë shumë të gatshëm me na ndihmuar për me e bo atë ndryshim, e kjo më ka pëlqyer më së shumti në Klubin Teatror”, ka thënë Dalmina Shala.
Me shumë entuziazëm kjo shfaqje u jetësua nga të rinjtë e klubit teatror në përbërje të Anisa Selaci, Saba Alija, Dalmina Shala, Dardan Buliqi, Muhamed Musa, Edmond Shabani, Suela Zymeri, Elza Haradinaj, Erza Sylejmani, Medina Mustafa, Arlinda Bilalli, Nida Durguti, Leonita Selaci, Suela Selaci, Adhuresa Hasani.
Pjesëmarrësit e Klubit Teatror në Vushtrri janë mentoruar nga aktorët e Ansamblit të Artpolis, Blerta Gubetini – Zherka dhe Mikel Markaj.
Ky aktivitet është organizuar nga Artpolis me mbështetje të Frieda dhe Komunës së Vushtrrisë.