Forum Teatri

“Rrugët që Zgjedhim”, mbi pasojat e vendimeve që marrin të rinjtë

22 Nëntor, 2024

22.11.2024

Shfaqja “Rrugët që Zgjedhim” u prezantua më 22 nëntor 2024 në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Shfaqja “Rrugët që Zgjedhim” filloi me një adoleshent përpara disa rrugëve që duhej të zgjidhte: të ardhmen e ndritur përmes dijes, rrugën e shpejtë drejt pasurimit dhe kënaqësisë, por me rreziqet e saj, dhe një indiferencë që e la të lundronte në paqartësi. Gjatë këtij udhëtimi një ditor, realiteti dhe ëndrrat e tij përplasen, duke marrë formë mendimet e tij që bëhen zëra që shtyjnë, tërheqin dhe këshillojnë, ndërsa ai endet mes dyshimeve dhe pasioneve.

“Rrugët që Zgjedhim” zhytet në thellësinë e dilemës njerëzore: a është njeriu një produkt i rrethanave apo një krijues i fatit të tij? Shfaqja, që zhvillohet midis zgjimit dhe ëndrrës, midis të sotmes dhe të ardhmes, vë në pah peshën e çdo vendimi, duke ndriçuar udhën e njeriut drejt realizimit të vetvetes.

Çdo skenë shpërfaqi luftën e vazhdueshme ndërmjet ëndrrave, përgjegjësive dhe presioneve shoqërore. Në çdo rrugë që zgjedhim, vendosim se kush jemi!

“Rrugët që Zgjedhim” u ndoq nga rreth 70 persona në audiencë, përfshirë të miturit e kësaj qendre, si dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.

Ky aktivitet u organizua nga Artpolis në bashkëpunim me Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe u mbështet nga FRIEDA dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

You may also like