Shfaqja “Vojçek” me regji të Zana Hoxhës së shpejti me…
15 Janar, 2025
15.11.2024
Më 15 nëntor 2024, Down Syndrome Kosova – Qendra e Shërbimeve në Prishtinë ishte vendi i një rrëfimi të veçantë në skenë. Shfaqja “Pa Limit”, nga Klubi Teatror Handikos pati reprizën e radhës, duke sjellë një hapësirë reflektimi dhe ndërveprimi për të gjithë të pranishmit.
Ky prezantim ishte një proces i ndërthurjes së jetës personale me atë artistike. Aktorët me aftësi të kufizuara sollën histori të përditshme nga realitetet e tyre, duke i shndërruar në një platformë dialogu që sfidon kufizimet dhe stereotipet.
Çdo skenë ishte një deklaratë, çdo dialog një ftesë për të parë përtej. Pjesëmarrësit në këtë akt krijues tejkaluan barrierat shoqërore, duke reflektuar mbi identitetin dhe fuqinë e pranimit. “Pa Limit” nuk ishte një fund, por një nisje e një dialogu të domosdoshëm.
Në këtë shfaqje luajtën: Fahri Krasniqi, Afërdita Haxholli, Albin Salihi, Festina Ibishi, Trimor Idrizi, Fortesë Vishesella, Blerina Krasniqi.
Pas shfaqjes publiku pati rastin të shohë edhe një dimension tjetër artistik të tyre përmes ekspozitës në hapësirat e Down Syndrome Kosova.
Kjo shfaqje është realizuar nga Artpolis në bashkëpunim me Handikos, me mbështetje të Fondacionit Joseph Handleman “I Believe in You”, Frieda, MKRS, Presidenca e Kosovës dhe Down Syndrome Kosova – Qendra e Shërbimeve në Prishtinë.