
“Vojceku” i Zana Hoxhës: Një tragjedi e tjetërsimit dhe dhunës…
22 Shkurt, 2025
06.03.2025
“Mos u dorëzo, të lutem mos u lësho,
edhe pse djeg acari,
edhe pse kafshon tmerri,
edhe pse hesht era dhe fshihet dielli,
ka ende zjarr shpirti,
dhe ëndrra gjallë ngeli,
sepse jeta është e jotja e dëshirat janë të tuat,
sepse e ke dashur dhe sepse të dua.
Ende ka kohë…”
Revolta ishte kryefjala e mbrëmjes poetike “Poezi për Fuqi” – revoltë kundër shtypjes së patriarkatit, kundër heshtjes së grave, kundër ngulfatjes dhe pabarazisë që përditë rëndon mbi to. Një natë ku fjala u bë armë, ku vargjet e Mario Benedettit, përmes interpretimit të fuqishëm të Alesia Xhemalaj, kumbuan si thirrje për të mos u dorëzuar kurrë, sepse ka ende zjarr shpirti.
Më 6 mars, në Menzën “Ramiz Sadiku”, artiste/ë, aktiviste/ë dhe poete/ë u bashkuan në një zë të vetëm. Shënuam 8 Marsin me revoltë poetike – një revoltë që na frymëzoi të guxojmë, të ngrihemi dhe të kërkojmë liri, barazi dhe drejtësi.
Në vargjet e Ilire Zajmit, “Kujtesa e trupit” mori jetë përmes interpretimit të saj, duke na kthyer në kujtime që lëvizin mes dhimbjes dhe forcës. Bibi Qena solli zërin e Maram al Masri-t me poezinë “Mëso të zemërohesh”, një thirrje e drejtpërdrejtë për të mos u nënshtruar. Rudina Dembacaj e interpretoi “Fajtore jam” të Radmila Lazić, duke shpalosur brishtësinë dhe fuqinë e grave që refuzojnë të mbeten të heshtura. Blerta Syla – Surroi solli një moment të fuqishëm me vargjet e Donikë Dabishevcit, duke interpretuar poezinë “Mos u dorëzo kurrë, çika jem”, një thirrje për forcën dhe rezistencën e grave.
Tingujt e Don’t Listen to Your Neighbors u bënë fryma mes poezive, një ritëm që e gjallëronte hapësirën dhe zemrat e publikut.
Poezitë e Jacques Brel, Oriana Fallacit dhe Alda Merinit morën jetë nga interpretuesit Bislim Muçaj, Anisa Ismaili dhe Sheqerie Buqaj. Ata na sollën emocione të thella, kujtime të një kohe që ende tingëllon në të tashmen. Kurse aktori Ergjan Mehmeti solli pasionin e dashurisë përmes vargjeve të Xhejlane Terbunjës, “Hajde Puthemi si Atëherë”.
Në pjesën e tretë të mbrëmjes, fuqia e poezisë u kthye në betejë të hapur. Albulena Kryeziu Bokshi interpretoi “La Terra Santa” të Alda Merinit, një rrëfim i copëzuar mes shpresës dhe errësirës. Alesia Xhemalaj solli tingullin e brendshëm të Mario Benedettit me “Ende ke kohë…”, duke dhënë një shpresë që nuk lodhet kurrë. Gili Hoxhaj na mori në një rrugëtim prekës me poezinë “Pragu i pritjes” – homazh për të gjitha gratë dhe vajzat që, mes dhimbjes, vazhdojnë pritjen për të zhdukurit. Jonada Jashari goditi çdo zemër të pranishme me vargjet e saj “I mbyta krejt dashnitë e rreme”.
Kurse paneli i fundit i poeteve dhe interpretueseve na sollën vargje që u bënë thirrje për qëndresë dhe liri. Zana Hoxha, që edhe e moderoi këtë mbrëmje, interpretoi poezinë “Furtunë mbi kalë të bardhë” të Sibel Halimit, një reflektim i thellë mbi lirinë si shpëtimi i fundit i njeriut. Kurse, Vlora Ademi, me një interpretim të shkëlqyer, solli poezinë e saj “Kështu Ikin Gratë” – një himn për guximin, dashurinë dhe krenarinë e grave. E dashurinë mbrëmë e lartësoi edhe aktori Shpëtim Kastrati, i cili solli para publikut poezinë e Pablo Nerudës “Buzagazi Yt”, ndërsa Xhejlane Terbunja dha një interpretim të fuqishëm të poezisë së Virginia Woolf, “Qëndro e gjallë”, një thirrje për të mos u dorëzuar kurrë dhe për të jetuar plotësisht.
Secila poezi mori një tjetër dimension të revoltës, të përcjellura nga Don’t Listen to Your Neighbors që i dhanë publikut një mbrëmje të paharrueshme muzikore.
Por, nata nuk përfundoi me interpretuesit në skenë. Mikrofoni u hap për publikun, për ata që ndjenin se kishin diçka për të thënë. Poezia doli përtej skenës – në duart e atyre që ndanin vargjet e poetëve të tyre të dashur, në zërat që guxuan të flasin, në shpirtrat që u prekën nga fuqia e fjalës.
Në fund të kësaj nate, nuk ishim më vetëm dëgjues – ishim të gjithë pjesë e kësaj revolte poetike, të gjithë bashkë në një fjalë të vetme: fuqi.
Poezia vazhdon të jetojë. Revolta nuk ndalet këtu.
Ky aktivitet u organizua nga Artpolis, me mbështetje të UNFPA, Frieda dhe MKRS.