Iniciativat

Marshuam për njana-tjetrën

8 Mars, 2025

08.03.2025

Më 8 Mars, rrugët e Prishtinës u mbushën me zemërim dhe solidaritet gjatë marshit tradicional “Marshojmë S’festojmë!”, organizuar nga Kolektivi “Marshojmë S’festojmë!”.

Këtë vit, marshuam për gratë që nuk janë më, për ato që heshtja dhe sistemi i kanë lënë në mëshirë të dhunës, për të gjitha ato që refuzojnë të dorëzohen. Nën moton “Marshojmë për njana-tjetrën”, qindra aktiviste, qytetare dhe qytetarë dolën në rrugët e Prishtinës për të kërkuar drejtësi dhe barazi për gratë e vajzat në Kosovë.

Në një vend ku vetëm gjatë vitit 2024 u raportuan 2,959 raste të dhunës në familje, ku gratë vriten nga burrat e tyre edhe brenda institucioneve që supozohet t’i mbrojnë, nuk ka asnjë arsye për festë.

Këtë vit marshuam për Erona Çoklin, e cila u vra brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj; për Gjyljeta Ukellin, e cila u vra nga burri i saj në Pejë; për M.Zh., që u vra në Graçanicë, dhe për Sherife Tahirin, e cila u plagos rëndë nga burri i saj me pesë plumba, por mbijetoi. Këto gra nuk janë më mes nesh sepse shteti dështoi t’i mbrojë, sepse sistemi gjyqësor vazhdon të falë dhunuesit dhe shoqëria vazhdon ta trajtojë dhunën si një çështje private.

Marshimi i 8 Marsit ishte një thirrje për drejtësi! Ishte një kundërshtim i hapur ndaj institucioneve që dështojnë t’i mbrojnë gratë, një revoltë kundër dhunës së normalizuar dhe një refuzim i heshtjes. Marshuam kundër lëvizjeve anti-gjinore, që përpiqen të zhbëjnë të drejtat e grave, kundër sistemit patriarkal që kërkon ta ruajë pushtetin mbi trupin dhe jetën e grave.

Ne marshuam për njana-tjetrën! Për një Kosovë ku gratë nuk rrezikojnë jetën brenda shtëpive të tyre, ku zëri i tyre dëgjohet dhe respektohet, ku dhuna nuk mbetet e pandëshkuar. Derisa ajo ditë të vijë, ne do të vazhdojmë të marshojmë, sepse nuk ka barazi pa luftë!

You may also like