Blog

KUJTIME NGA LUMI – Një shfaqje që na kthen për të shpëtuar veten

29 Korrik, 2025

Nga Shqipe Malushi

Nëse “The Curious Incident of the Dog in the Night-Time” tronditi Londrën me historinë e një djali të ndryshem, të padëgjuar e të pakuptuar, atëherë “Kujtime nga Lumi” e Zana Hoxhës është jehona e asaj dhembje në zemër të Prishtinës, një britmë poetike për të padukshmit dhe të burgosurit emocionalë të shoqërisë sonë.

Mbrëmja e 28 korrikut nuk ishte thjesht premierë, ishte një pelegrinazh përmes ujit dhe kujtimeve. Filloi pranë fontanës, simbolikë e lumit, e pafajësisë. Por shpejt udhëtimi na çoi në një burg të Idealit, dhe në burgun e brendshëm që shpesh e mbajmë në heshtje.

Zana Hoxha, regjisore dhe rrëfimtare e së vërtetës, ndërtoi një shfaqje ku publiku u bë bashkëudhëtar e bashkëfajtor. Kujtimet shpërthyen si dallgë e traumave të heshtura, identiteteve të mbytura, djem që ndëshkohen për vetveten, vajza që rriten në frikë.

Një djalë vishet me rrobat e nënës dhe këndon “Nessun Dorma”, një moment i shenjtë që shoqëria e shkatërron. Ai përfundon jetën në lum. A nuk është vetë lumi ai që ruan kujtimet e atyre që nuk u mbrojtën kurrë?

Aktorët Qendresa Kajtazi, Edon Shileku, Flamur Ahmeti dhe Elisa Belegu shkëlqyen me ndershmëri emocionale dhe forcë shpirtërore. Muzika e Liburn Jupollit ishte si frymëmarrja e një shpirti të plagosur.

Zana Hoxha na sfidon të mos fshihemi pas normave. Ajo na kujton se të gjithë jemi të burgosur në trupa, në kujtime, në heshtje. Por përmes kësaj shfaqjeje, ajo na hap një dritare drejt shpresës, drejt vetëpranimit, drejt jetës së vërtetë.

“Diku do të më gjeni, me një buzëqeshje që nuk fshihet.” – Ali Podrimja

Ky varg është fryma që endet gjatë gjithë shfaqjes me një dëshmi se edhe në errësirë, shpresa ka një zë.

Kujtime nga Lumi nuk është vetëm teatër por është një akt kolektiv shërimi. Dhe Zana, si gjithmonë, na fton të guxojmë të jemi ndryshe, jo për t’u pranuar, por për të jetuar.

You may also like