Aktivitetet Panelet e Diskutimit

Universitet i Sigurt: Studentët dhe ekspertët në një zë kundër ngacmimit seksual

30 Shtator, 2025

29.09.2025

Paneli i diskutimit “Studime të mbara dhe të sigurta: Universitet i sigurt nga ngacmimi seksual 2025–2026” u mbajt më 29 shtator 2025, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, duke mbledhur mbi 25 pjesëmarrës të interesuar për të ardhmen e një hapësire akademike të lirë dhe të mbrojtur nga ngacmimi seksual.

Diskutimi u udhëhoq nga Zana Hoxha, aktiviste dhe regjisore teatri, e cila hapi rrugën për një dialog të hapur dhe interaktiv mes panelisteve dhe studentëve. Në vijim, Prof. Asoc. Dr. Majlinda Zhitija Gjelaj, Prodekane për Studime të Doktoraturës dhe Sigurim të Cilësisë, theksoi rëndësinë e rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual në UP, duke e vlerësuar si një arritje institucionale që duhet të shërbejë si shembull edhe për universitetet tjera. Ajo njoftoi studentët se tashmë ishte rishikuar Kodi i Etikës dhe se është në proces shqyrtimi edhe kjo rregullore sipas statutit të ri të universitetit. Ajo theksoi gjithashtu se së shpejti do të funksionalizohet Zyra e Ombudspersonit për studentë, një derë e re për mbrojtje dhe raportim.

Nga ana tjetër, Arjana Qosaj Mustafa solli perspektivën e shoqërisë civile, duke ndarë sfidat e përballura gjatë viteve dhe duke inkurajuar studentët që të informohen mirë mbi rregulloren dhe dispozitat ligjore, në mënyrë që të jenë të fuqizuar për të denoncuar rastet e ngacmimit. Liridona Osmanaj, ndërkaq, ndau përvoja të saj nga universitetet ndërkombëtare, ku praktikat institucionale në mbrojtjen e viktimave ishin më të konsoliduara, dhe i ftoi studentët që të qëndrojnë gjithmonë në solidaritet të plotë me viktimat.

Diskutimi u pasurua edhe nga pyetjet dhe kërkesat e studentëve, të cilët sugjeruan që periudha e raportimit të rasteve të ngacmimit të zgjatet nga një vit në pesë vite, duke reflektuar nevojën për ndryshime konkrete në rregullore.

Ky panel u organizua nga Artpolis, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe me mbështetje të UNFPA-së, duke lënë pas një mesazh të qartë: universiteti duhet të jetë jo vetëm vend i dijes, por edhe i sigurisë, respektit dhe solidaritetit.

You may also like