“Prapa Ekranit” në Pejë nxit debat mbi dhunën dhe abuzimin…
21 Tetor, 2025

21.10.2025
Më 21 tetor, në Kino Jusuf Gërvalla në Pejë, shfaqja “Prapa Ekranit” u prezantua para një audience të përbërë nga rreth 55 nxënës dhe profesorë nga Gjimnazi “Bedri Pejani”.
Shfaqja trajtoi ndikimin shoqëror të dhunës dhe abuzimit online, duke zbuluar mënyrat se si kontrolli, manipulimi dhe presionet digjitale ndikojnë në marrëdhëniet njerëzore. Ngjarjet u zhvilluan në një universitet të Kosovës, ku personazhet Krenari, Dafina, Lea, Ardi dhe profesoresha Drita u përballën me realitetin e rrjeteve sociale dhe ndikimin e “manosferës”.
Përmes metodës së Forum Teatrit, publiku u ftuar të ndërhyjë, të diskutojë dhe të propozojë zgjidhje, duke shndërruar skenën në një hapësirë reflektimi dhe ndërgjegjësimi mbi format e dhunës psikologjike dhe online.
Shfaqja u realizua nën drejtimin artistik dhe dramaturgjik të Zana Hoxhës, me aktorët Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi.
Ky aktivitet u organizua nga Artpolis, me mbështetjen e Kosova Women’s Network dhe East West Management Institute, duke ofruar një eksperiencë të fuqishme edukative dhe ndërgjegjësuese për audiencën.



















