Forum Teatri

“Prapa Ekranit” me mesazhe të rëndësishme në Ferizaj

11 Nëntor, 2025

10.11.2025

Më 10 nëntor, 2025 në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, u zhvillua repriza e radhës e shfaqjes forum-teatër “Prapa Ekranit”, me regji dhe dramaturgji nga Zana Hoxha.

Nxënësit e pritën aktivitetin me shumë entuziazëm dhe u angazhuan në diskutim mbi ndikimet e dhunës dhe abuzimit online në jetën e përditshme.

Ngjarjet e shfaqjes zhvillohen brenda një ambienti universitar, ku personazhet Krenari, Dafina, Lea, Ardi dhe profesoresha Drita përballen me presionet dhe sfidat e botës digjitale. Përmes metodës së Forum Teatrit, dhe me fasilitimin e Berat Bajramit, audienca u ftua të ndërvepronte, të diskutonte dhe të propozojë zgjidhje konkrete, duke u bërë pjesë aktive e skenës dhe narrativës.

Diskutimet nxorrën në pah sfida reale: reagimet e prindërve të Dafinës ndaj publikimit të videos, hapat që u ndoqën për raportimin e ngjarjes dhe ndikimi që pati kjo në shoqërinë e Krenarit dhe Ardit. Këto momente ofruan një pasqyrë të qartë të ndikimit të dhunës online dhe fuqinë e ndërgjegjësimit kolektiv.

Shfaqja u realizua nga aktorët Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi, duke sjellë në skenë dramatizimin e sfidave reale të të rinjve në botën digjitale dhe duke frymëzuar audiencën për reflektim dhe veprim.

Ky aktivitet u organizua nga Artpolis, me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute, duke ofruar një eksperiencë të fuqishme edukative dhe ndërgjegjësuese për audiencën.

You may also like