“Vojçeku” ngjitet me sukses në skenën e Festivalit “MOISIU”
24 Nëntor, 2025

13.11.2025
Më 13 nëntor 2025, në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu”, shfaqja “Vojçeku” u rikthye për publikun e Gjakovës, duke ofruar një përvojë teatrale të fuqishme dhe të thellë. Mes spektatorëve ishin edhe nxënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi”, të cilët morën pjesë në një diskutim të gjallë pas shfaqjes, duke reflektuar mbi temat e thella që ajo ngre.
Jeta e Vojçekut është një poezi e dhimbshme për tragjedinë e individit, për përçmimin dhe keqtrajtimin që e çojnë atë drejt shpërbërjes dhe vetëshkatërrimit. Nga dramatizimi origjinal i Georg Büchnerit dhe përshtatja bashkëkohore nga Jack Thorne, Zana Hoxha sjell një version universal dhe emocionalisht të rëndë të kësaj historie, ku Vojceku shndërrohet në simbol të tjetërsimit dhe dehumanizimit.
Në skenën e konceptuar nga Grace Rumsey, errësira e padukshme, ngjyrat e ftohta dhe materialet plastike krijojnë një atmosferë të ngurtë dhe të ftohtë, duke pasqyruar robërinë e individit dhe mungesën e lirisë. Regjia e Hoxhës fokusohet në gjendjen psikologjike të protagonistit, duke treguar sesi dhuna dhe trauma që e shoqërojnë që në fëmijëri e çojnë Vojçekun drejt një fundi tragjik: objekt eksperimentesh, ushtar pa zë, viktimë e një bote që e përdor, por nuk e njeh si të barabartë.
Megjithatë, “Vojceku” nuk është vetëm një portret individual i tragjedisë. Është një thirrje alarmante ndaj shoqërisë për të reflektuar mbi padrejtësitë, dhunën, tjetërsimin dhe rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor. Përmes emocioneve të skenës dhe performancës së aktorëve, publiku u fton të mendojë për përgjegjësinë tonë kolektive dhe fuqinë e solidaritetit.
Ky rikthim i shfaqjes, një bashkëproduksion i Teatrit “Hadi Shehu” dhe Artpolis, mbështetur nga Komuna e Gjakovës dhe UNFPA, konfirmoi ndikimin e fortë të artit për të hapur dialog, për të ngritur vetëdije dhe për të prekur shpirtin e audiencës.



