Shfaqjet Teatrale

“Vojçeku” ngjitet me sukses në skenën e Festivalit “MOISIU”

24 Nëntor, 2025

23.11.2025

Më 23 nëntor 2025, shfaqja “Vojçeku” u ngjit me sukses në skenën e Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, duke e shndërruar Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në një hapësirë të tensionit dramatik dhe reflektimit të thellë.

Nën regjinë e Zana Hoxhës dhe adaptimin e Jack Thorne, publiku përjetoi historinë rrëqethëse të një ushtari të thyer nga varfëria, dhuna sistematike dhe mungesa e dinjitetit njerëzor. Aktorët Bujar Ahmeti, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Arbies Komoni, Altina Kusari dhe Eden Kastrati sollën një lojë të ngjeshur e të fuqishme, duke e shndërruar rënien e “Vojçekut” në një udhëtim emocional të paharrueshëm.

Skenografia e pastër, dritat udhërrëfyese dhe muzika origjinale krijuan një atmosferë të mprehtë, ku çdo detaj i shërbeu thellimit të rrëfimit dhe intensitetit të skenës.

Për shkak të përmbajtjes së ndjeshme, shfaqja iu paraqit publikut +16, duke u vlerësuar shumë për qasjen e saj të guximshme dhe fuqinë estetike prej së cilës nuk të lejon të largosh shikimin.

“Vojçeku” është bashkëproduksion i Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” dhe Artpolis, me mbështetjen e Komunës së Gjakovës dhe UNFPA in Kosovo.

You may also like