Nga Skena te Ndërgjegjësimi: “Prapa Ekranit” përballë Dhunës Online në…
18 Dhjetor, 2025

03.12.2025
Më 3 dhjetor 2025, në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit”, nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi” u përballën me një realitet që zakonisht mbetet i padukshëm: dhuna online, presioni digjital dhe abuzimi që fshihet pas një klikimi të vetëm.
Shfaqja forum-teatër “Prapa Ekranit”, me regji dhe dramaturgji nga Zana Hoxha, ishte një thirrje për t’i parë plagët digjitale me sy të hapur, për të mos e normalizuar dhunën që shpesh hesht sepse nuk lë gjurmë fizike.
Në skenë u shfaq historia e një profesoreshe dhe studentëve të saj, një tablo e realitetit modern ku komentet toksike, manosfera, manipulimi dhe kontrolli virtual marrin formë konkrete. Çdo skenë ishte një pasqyrë e asaj që ndodh pas ekraneve tona – e vërtetë, e drejtpërdrejtë dhe e pakëndshme, por e domosdoshme për t’u parë.
Pjesa më e fuqishme e ditës ishte debati me nxënësit: i thellë, aktiv dhe reflektues. Pyetje sfiduese, ide të guximshme dhe një energji e pastër bashkëpjesëmarrjeje dëshmuan se brezi i ri jo vetëm e kupton problemin—por edhe kërkon ta ndryshojë atë. Ky debat na vërtetori edhe njëherë se reagimi është gjithmonë i mundur – se heshtja nuk është opsion, dhe se solidariteti fillon pikërisht nga ndërgjegjësimi.
“Prapa Ekranit” u inskenua nga aktorët Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi.
Shfaqja u organizua nga Artpolis, me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute.










