Forum Teatri

“Prapa Ekranit” në Vushtrri vë në fokus fenomenin e dhunës online

12 Shkurt, 2026

12.02.2026

Shfaqja “Prapa Ekranit” rikthehet me reprizën e parë në vitin 2026, në Vushtrri, në shkollën e mesme “Eqrem Çabej”. Ajo sjell në skenë realitetin e afërt për të rinjtë, duke reflektuar mbi mënyrën se si komunikimi dhe marrëdhëniet shpesh marrin kahje tjetër në hapësirën digjitale. Shfaqja trajton situata ku përdorimi i teknologjisë bëhet pjesë e reagimeve të përditshme, ndonjëherë pa u menduar gjatë për pasojat që mund të lënë tek të tjerët.

Përmes ngjarjeve dhe personazheve, ajo prek edhe prirjen për ta përdorur hapësirën online si mënyrë për të fituar epërsi apo për të dëshmuar forcë. Në këtë rrjedhë, shfaqja nxjerr në pah edhe një fenomen shqetësues: normalizimin e kontrollimit të gruas nën justifikimin e “kujdesit” apo “dashurisë”, ku një mentalitet i kahershëm ndërthuret me realitetin digjital, duke u parë si formë përkujdesjeje, ndërkohë që krijon kufizime dhe presion të heshtur.

Diskutimi i hapur që pasoi shfaqjen krijoi një hapësirë dialogu, ku profesorët dhe nxënësit ndanë mendimet, pyetjet dhe qëndrimet e tyre lidhur me fenomenet e trajtuara, duke reflektuar mbi aktualitetin e këtyre çështjeve dhe mbi mënyrën se si dhuna, kontrolli dhe presioni digjital shfaqen në jetën e përditshme. Në këtë mënyrë, “Prapa Ekranit” u shndërrua jo vetëm në një përvojë artistike, por në një shtysë të rëndësishme për reflektim dhe vetëdijesim shoqëror.

Nga kjo shfaqje u përcoll edhe një mesazh i qartë nga nxënësit, gjatë shfaqjes dhe pas përfundimit të saj: “Kontrolli dhe kujdesi nuk janë i njëjti sen, sepse dhuna nuk është dashuri, por është krim.” Një tjetër reflektim nga audienca theksonte rëndësinë e trajtimit të temës në këtë formë: “Unë mendoj që ia ka vlejt, sepse mendoj që ka pas edhe nxënës në mesin tonë që kanë pasë asi mentaliteti e nashta e kanë vrejt që është gabim. Dikush ma mirë e kupton kur e sheh ngjarjen qysh po ndodh prej audiencës se sa si pjesëmarrës.”

Shfaqja u organizua nga Artpolis, me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute.

You may also like