Aktivitetet Projektet

Ekspozita “Spaces in Between / Međuprostori / Ndërhapësira”, pëmbyll rrugëtimin e Akullthyesve të rinj/reja

14 Shkurt, 2026

13-14.02.2026

Ekspozita “Spaces in Between / Međuprostori / Ndërhapësira” vjen si fryt i një rruge njëvjeçare dialogu, krijimi dhe bashkëjetese artistike në kuadër të programit Intercultural Icebreakers (Akullthyesit), pjesë e projektit “Culture for Change”, me mbështetjen e Bashkimi Evropian, implementuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Artpolis.

Programi mblodhi të rinj artistë, aktivistë dhe intelektualë nga Kosova dhe Serbia për të nxitur dialogun dhe shkëmbimin ndërkulturor. Ky udhëtim filloi me vizita kulturore në Beograd, Novi Sad, Prishtinë, Pejë dhe Prizren, si dhe në Manastirin e Deçanit dhe Patrikanën e Pejës.

Ata vizituan institucione kulturore, morën pjesë në punëtori, dëgjuan artistë e aktivistë të njohur dhe nisën të formësojnë idetë që sot marrin jetë në këtë ekspozitë. Por mbi të gjitha, ata ndanë histori personale. Kaluan kohë bashkë. Shijuan ushqim, kafe e rakia, dëgjuan muzikë, vallëzuan valle tradicionale dhe mësuan për njëri-tjetrin — jo përmes titujve të lajmeve, por përmes lidhjes njerëzore.

Pas kësaj faze, rrugëtimi vazhdoi në koloninë artistike, prej nga lindi kjo ekspozitë. Ajo është prezantuar në Beograd dhe Novi Sad, ndërsa në Kosovë u hap më 13.02.2026 në Barabar Centre, Prishtinë, dhe vazhdoi më 14.02.2026 në Club 88, Prizren.

Të shohësh të rinjtë duke u përpjekur të flasin gjuhën e njëri-tjetrit, duke u përpjekur të kuptojnë realitetin e vendit fqinj, është një kujtesë e fuqishme se arti mund të ndërtojë ura — edhe kur politika dhe narrativat negative përpiqen të ndërtojnë mure.

Kjo ekspozitë nuk është vetëm për veprat artistike por është për besimin, guximin dhe për zgjedhjen e rrjetëzimit.

Faleminderit të gjithë artistëve, mentorëve, partnerëve dhe mbështetësve që e bënë të mundur këtë rrugëtim.

You may also like