Forum Teatri

“Prapa Ekranit” në Rahovec nxit debat mbi dhunën online

19 Mars, 2026

18.03.2026

Në Gjimnazin “Xhelal Hajda – Toni” në Rahovec, më 18 mars 2026, skena u shndërrua në një pasqyrë të drejtpërdrejtë të realitetit që shpesh mbetet i fshehur – prapa ekranit. Shfaqja forum-teatër “Prapa Ekranit”, me dramaturgji dhe regji nga Zana Hoxha, erdhi jo vetëm si një akt artistik, por si një thirrje për ndërgjegjësim dhe reagim.

Në këtë hapësirë ku realiteti virtual përplaset me jetën reale, historia e një grupi të rinjsh dhe profesoreshës së tyre zbërtheu me ndjeshmëri dhe tension dinamikat e manipulimit, kontrollit dhe presionit digjital. Tema të tilla si dhuna psikologjike, ndikimi i “manosferës” dhe keqpërdorimi i teknologjisë u shpalosën përmes një loje aktoriale të fuqishme nga Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi.

Por momenti më i rëndësishëm nuk ndodhi vetëm në skenë. Përmes forum-teatrit, nxënësit u bënë pjesë aktive e shfaqjes përmes diskutimit me personazhet.

“Shfaqja e sotme… ishte shumë e mirë, duke filluar nga profesionalizmi i aktorëve dhe improvizimi në fund të pyetjeve, si dhe qasja mes nxënësve dhe aktorëve,” u shpreh nxënësi Leart Emini. “Dua të theksoj edhe mënyrën se si janë trajtuar rolet paralele… E falënderoj Artpolisin për këtë iniciativë.”

Ndërkohë, nxënësja Drilona Hamza e përjetoi shfaqjen si një hapje të rëndësishme drejt vetëdijesimit:
“Sot na është dhënë rasti të shohim një shfaqje… që trajtoi kontrollin në një lidhje dhe keqpërdorimin e videove dhe imazheve të krijuara me AI… kjo dramë na dha një vetëdijesim mjaft të madh.”
Ajo shtoi se mesazhi kryesor që mbeti ishte i qartë: “Lidhjet duhet të jenë një barazi mes dy personave… ata të bashkëpunojnë kundër problemit, dhe jo të shtyhen mes vete.”

Në këtë mënyrë, “Prapa Ekranit” nuk mbeti vetëm një shfaqje — ajo u bë një përvojë e përbashkët, ku arti dhe realiteti u ndërthurën për të nxitur pyetje, për të sfiduar norma dhe për të hapur rrugë drejt ndryshimit.

E organizuar nga Artpolis, me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute, kjo shfaqje dëshmoi se teatri, kur bëhet dialog, ka fuqinë të depërtojë përtej skenës — drejt mendjes dhe ndërgjegjes së secilit.

You may also like