Shfaqja “Nga Zero”, reflektim dhe shpresë për të rinjtë në…
12 Maj, 2026

12.05.2026
Shfaqja teatrore “Nga Zero”, e prezantuar nga Klubi Teatror në Lipjan më 12 maj, 2026 solli një hapësirë reflektimi, dialogu dhe shprese për të rinjtë pjesëmarrës dhe publikun.
Shfaqja trajtoi zgjedhjet që formësojnë jetën, paragjykimet sociale dhe barrën e së kaluarës, duke vendosur në qendër mundësinë e transformimit personal dhe fillimit nga e para.
E ndërtuar mbi reflektimet e vetë të rinjve, “Nga Zero” ishte një një proces i gjatë krijues që u ofroi pjesëmarrësve një hapësirë të sigurt për t’u shprehur lirshëm, për të folur për sfidat e tyre dhe për të zbuluar potencialin artistik që mbartnin brenda vetes. Gjatë procesit të punës me mentorët Ismail Kasumi dhe Rabije Kryeziu, të rinjtë zhvilluan aftësi jetësore si komunikimi, puna në grup, vetëbesimi, disiplina, përgjegjësia dhe të menduarit kritik—aftësi që tejkalojnë skenën dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ata e shohin të ardhmen e tyre.
Shfaqja u ndoq nga rreth 100 persona dhe ngjalli reagime të forta emocionale nga publiku. Njëra nga punëtoret sociale e cilësoi aktivitetin si jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke theksuar se, “ajo që më pëlqeu më së shumti ishte shprehja e talentit të të miturve dhe e pamë atë. Por, ajo që ishte më interesante ishte mesazhi që dhanë, se si mund të largohen nga e kaluara dhe të bëhen të dobishëm për shoqërinë”.
Një punëtore sociale tjetër, u shpreh se arti kishte shërbyer si një formë terapie për të rinjtë: “Përmes artit ata kanë shprehur jetën e tyre të brendshme dhe vizionin për të ardhmen, duke treguar se si mund të jenë të suksesshëm”.
Edhe publiku i ri u identifikua me mesazhin e shfaqjes. Njëri nga të rinjtë e pranishëm në publik u shpreh se i ka pëlqyer shfaqja, por më e rëndësishmja besimi në veten për të ndjekur ëndrrat, duke reflektuar pikërisht dilemën kryesore që trajtonte shfaqja: zgjedhjen mes presionit të rrethit dhe rrugës personale.
Ndoshta reflektimi më i fuqishëm erdhi nga vetë pjesëmarrësit e Klubit Teatror në Lipjan. Njëri prej tyre e përshkroi këtë si përvojë “fantastike”, duke shtuar se përvoja artistike kishte qenë jo vetëm atraktive, por edhe transformuese: “Mesazhi ka qenë shumë i mirë që ne me reflektu dhe mos të bëjmë probleme dhe t’i kthehemi jetës e me qenë më të mirë për shoqërinë”.
“Nga Zero” dëshmoi fuqinë që arti ka për të krijuar ura komunikimi dhe për të hapur mundësi të reja për të rinjtë që shpesh përballen me stigmatizim dhe izolim. Përtej dimensionit artistik, kjo shfaqje u shndërrua në një proces emancipues, ku teatri shërbeu si mjet për vetëdijesim dhe shpresë për të rinjtë.
Kjo shfaqje u organizua nga Artpolis në bashkëpunim me Qendrën Korrektuese në Lipjan, me mbështetje të Frieda dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.











