“Historitë tona, skena jonë”
8 Qershor, 2026

27.06.2026
Më 27 qershor u përmbyll me sukses aktiviteti “Art në Tren”, duke e shndërruar edhe një herë udhëtimin nga Prishtina drejt Pejës në një hapësirë të gjallë arti, dialogu dhe përjetimi kulturor.
Përgjatë rrugëtimit, udhëtarët patën mundësinë të përjetojnë performancën muzikore të ARBËRESHË, e cila krijoi një atmosferë të veçantë mes tingujve dhe peizazheve që shpaloseshin përtej dritareve të trenit. Programi artistik u pasurua me interpretimet poetike të Elsa Belegut, Etnike Bogajt dhe Albana Gashit, të cilat sollën reflektime mbi kujtesën, identitetin dhe përvojën njerëzore. Ndërkohë, ekspozita e artistes Drilona Hamiti e shndërroi vagonin në një galeri lëvizëse, duke krijuar një dialog të veçantë mes artit pamor dhe udhëtimit.
Pas mbërritjes në Pejë, pjesëmarrësit vazhduan përvojën me një vizitë kulturore të udhëhequr nga Nora Draga, e cila i prezantoi me historinë, trashëgiminë dhe rrëfimet që e bëjnë këtë qytet një hapësirë të rëndësishme të kujtesës kulturore.
“Art në Tren” krijoi takime të reja me publikun, përtej formës tradicionale të inskenimit artistik. Duke bashkuar muzikën, poezinë, artin pamor dhe eksplorimin kulturor, ky aktivitet ofroi një mënyrë të re të përjetimit të udhëtimit, ku çdo stacion u bë pjesë e një rrëfimi artistik dhe çdo pjesëmarrës pjesë e një përvoje të përbashkët.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Heritage Horizons: A Journey Across Generations” të Artpolis, në kuadër të programit BOOST Balkans, i financuar nga AFD – Agence Française de Développement dhe i koordinuar nga ALDA Balkans.




















































