Blog

Art në Tren: Zbulimi i muzikës ndërmjet destinacioneve

10 Korrik, 2026

Nga Madison Tucker

Teksa treni lëvizte nga Prishtina drejt Pejës, më 27 qershor, 2026, artistët dhe interpretuesit e shndërruan një udhëtim të zakonshëm në një përvojë të përbashkët kulturore. Të shihje udhëtarët që i ndërprisnin bisedat, ngritnin sytë nga telefonat dhe zhyteshin plotësisht në atë çast, ishte sikur të dëshmoje një heshtje të përbashkët brenda ritmit të udhëtimit. Më kujtoi se arti ka këtë fuqi të veçantë për të thyer rutinën dhe për të na ftuar t’i shohim hapësirat e njohura me sy të tjerë.

Momenti që më ngelet në mendje ishte performanca e ARBËRESHË. Që në notën e parë, zëri i saj e mbushi vagonin dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, pa përjashtim. Zëri i saj kishte një qartësi dhe ngrohtësi që të tërhiqte menjëherë. Për ato pak minuta, treni pushoi së qeni thjesht një mjet transporti. Më dukej sikur kisha rënë në një koncert intim, ku çdo udhëtar ishte vendosur në ulësen e pare. Sapo filluan të dëgjoheshin këngët e njohura, njerëzit filluan të buzëqeshnin, t’i jepeshin muzikës, madje u ngritën në këmbë e filluan të këndonin dhe duartrokisnin bashkë me të.

Por, ajo që e bëri performancën kaq të paharrueshme nuk ishte vetëm zëri i saj i mrekullueshëm, por edhe mjeshtëria e saj e rrallë artistike. Sa herë që ngrija sytë gjatë udhëtimit, ajo dukej se ishte duke luajtur një instrument tjetër, duke kaluar nga njëri te tjetri pa asnjë mundim të dukshëm. Qartazi, ajo nuk po këndonte thjesht këngë; ajo po krijonte një përvojë të tërë. Kalimi i natyrshëm nga një instrument në tjetrin, i jepte domethënie të veçantë performancës, dhe mund të merrja me mend sa përgatitje dhe aftësi kërkonte kjo. Çdo instrument i sillte muzikës një ngjyrim tjetër, duke e mbajtur publikun të përfshirë nga një këngë te tjetra. Shkathtësia e saj, e bashkuar me zërin magjepsës, e shndërroi vagonin në diçka unike. Muzika e drejtpërdrejtë në skenë të bën përshtypje me madhështinë e saj, por të dëgjosh një artiste të tillë në një hapësirë kaq të ngushtë dhe të përbashkët krijonte një atmosferë krejt tjetër. Midis interpretueses dhe publikut s’kishte më asnjë distancë. Çdo notë jehonte në të gjithë trenin, duke i bërë të gjithë pjesë të së njëjtës përvojë.

Edhe pse treni lëvizte dhe zhurma nuk pushonte, performanca e saj nuk u lëkund asnjë çast. Të këndosh në një tren që ecën është krejt ndryshe nga të qëndruarit në një skenë të zakonshme, por zhurma e shinave dhe lëvizja e udhëtarëve nuk dukej se e shqetësonin aspak. Përkundrazi, ajo e përqafoi atë hapësirë, duke bërë që sikur vetë treni të ishte bërë pjesë e shfaqjes.

Ajo që ia shtoi edhe më shumë vlerën kësaj përvoje ishte se e përjetova së bashku me disa miq amerikanë që kishin ardhur me mua në këtë destinacion. Pasi zbritëm nga treni, biseda jonë vazhdonte të kthehej tek performanca e ARBËRESHË. Në vend që të flisnim për vendin ku po shkonim ose për gjithçka tjetër që kishim për të bërë atë ditë, po rikujtonim këngët dhe po flisnim se sa thellë na kishin prekur. Të gjithë u pajtuam se diçka jashtëzakonisht prekëse kishte në zërin e saj dhe në emocionin që ajo derdhte në çdo interpretim. Edhe pse asnjë nga ne nuk fliste shqip, të gjithë u ndjemë të lidhur me muzikën në mënyra çuditërisht të ngjashme. Nuk na duhej të kuptonim fjalët për të ndjerë bukurinë e saj – thjesht e ndjemë brenda vetes.

Të dëgjoja ARBËRESHË më kujtoi se arti flet në gjuhën e emocioneve, aty ku fjalët shpesh nuk mjaftojnë. Performanca e saj bashkoi njerëz nga vende, kultura e gjuhë të ndryshme brenda një vagoni, duke krijuar një moment të përbashkët që secili e përjetoi në mënyrën e vet. Kohët e fundit, po u kushtoj gjithnjë e më shumë rëndësi këtyre çasteve lidhjeje. Mund të jenë të shkurtra, por shpesh janë ato që të lënë gjurmën më të thellë. Ky udhëtim me tren më kujtoi se përvojat më të bukura artistike nuk ndodhin domosdoshmërisht në salla të mëdha koncertesh apo teatro. Ndonjëherë ato ndodhin aty ku nuk i pret, dhe një udhëtim i thjeshtë me tren kthehet në diçka të paharrueshme, personale dhe thellësisht njerëzore.

Për autoren: Madison Tucker është praktikante ndërkombëtare në Artpolis dhe kandidate për Master në Shërbim Publik në The Clinton School of Public Service në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Puna e saj përqendrohet në komunikim, hulumtim dhe angazhimin e komunitetit. Ajo është e pasionuar pas përdorimit të artit si një mjet për të nxitur dialogun ndërkulturor.

You may also like