Aktivitetet Festivalet

“Këndi i Kurajos” në Etno Fest, hapësira për fuqizim ekonomik të artizaneve

10 Gusht, 2026

09-10.08.2026

Më 9 dhe 10 gusht 2026, në kuadër të edicionit të 16-të të Etno Fest në Fshatin Kukaj, u mbajt ekspozita shitëse e grave artizane “Këndi i Kurajos”, e organizuar nga Artpolis në bashkëpunim me Etno Fest dhe QPDG.

Ekspozita solli në vëmendje punimet autentike të grave artizane nga Drenasi, të cilat prezantuan dhe ofruan për shitje punime të punuara me dorë, duke përfshirë varëse, çanta, punime në filigran e praktika të tjera tradicionale të trashëguara ndër breza.

“Këndi i Kurajos” u prit mjaft mirë nga publiku i Etno Fest. Vizitorët treguan interes të veçantë për punimet e ekspozuara dhe kontribuuan drejtpërdrejt në mbështetjen e grave artizane përmes blerjes së produkteve të tyre. Përtej promovimit të trashëgimisë kulturore, shitja e punimeve krijoi një mundësi konkrete për mbështetje dhe fuqizim ekonomik të grave, duke vlerësuar punën, kreativitetin dhe dijen e tyre të trashëguar.

Aktiviteti dëshmoi rëndësinë e krijimit të hapësirave ku zanatet tradicionale mund të prezantohen, të vlerësohen dhe të lidhen me mundësi të reja ekonomike. Në këtë mënyrë, “Këndi i Kurajos” kontribuoi në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si një praktikë e gjallë, duke vendosur gratë artizane në qendër të këtij procesi.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Heritage Horizons: A Journey Across Generations” nga Artpolis në bashkëpunim me Etno Fest dhe QPDG, në kuadër të programit BOOST Balkans, i financuar nga AFD – Agence Française de Développement dhe i koordinuar nga ALDA Balkans.

You may also like