“Historitë tona, skena jonë” solli dialogun në Barabar Centre, Prishtinë
16 Korrik, 2026

09.08.2026
Më 9 gusht 2026, në kuadër të edicionit të 16-të të Etno Fest në Fshatin Kukaj, Artpolis, në bashkëpunim me Etno Fest dhe QPDG, organizoi punëtorinë “Veku dhe praktikat tradicionale”, e cila u shndërrua në një hapësirë të gjallë për mësim, bashkëbisedim dhe shkëmbim ndërbreznor.
Punëtoria ngjalli interesim të jashtëzakonshëm nga pjesëmarrësit, të cilët, përveç se patën mundësinë të shihnin nga afër gratë artizane duke punuar, u përfshinë drejtpërdrejt në procesin e punës. Pjesëmarrësit patën rastin të praktikojnë direkt punën në vek, duke e përjetuar nga afër një praktikë që është bartur brez pas brezi.
Përtej aspektit praktik, punëtoria shërbeu edhe si hapësirë për bashkëbisedim dhe kujtesë kolektive. Përmes bisedave me gratë artizane, pjesëmarrësit rikujtuan mënyrat e jetesës në të kaluarën, rolin që kishte veku dhe punët e dorës në jetën familjare e shoqërore, si dhe ndryshimet që kanë ndodhur me kalimin e kohës. U diskutua edhe për transformimin kulturor dhe mënyrën se si zhvillimet bashkëkohore po ndikojnë në ruajtjen dhe përdorimin e praktikave tradicionale.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rëndësisë së ruajtjes së këtyre vlerave dhe njohurive tradicionale, si dhe nevojës që ato të përcillen te brezat e rinj. Në këtë kuptim, punëtoria krijoi një lidhje të drejtpërdrejtë mes përvojës së grave artizane dhe kureshtjes së brezit të ri, duke e kthyer trashëgiminë nga një kujtim i së kaluarës në një përvojë të rëndësishme personale.
Një aspekt tjetër i veçantë i përvojës ishte ndikimi relaksues dhe meditativ i punës në vek. Shumë prej pjesëmarrësve e përshkruan angazhimin në punëtori si një aktivitet qetësues, relaksues dhe terapeutik, që u ofroi atyre një moment shkëputjeje nga ritmi i përditshëm dhe një ndjenjë qetësie e përqendrimi. Për disa pjesëmarrës, puna e përsëritur dhe ritmike e endjes u përjetua si një formë mirëqenieje dhe mbështetjeje për shëndetin mendor.
Përveç përvojës praktike, pjesëmarrësit u angazhuan edhe në dokumentimin vizual të aktivitetit përmes fotografive dhe videove, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe në përcjelljen e saj përmes rrjeteve sociale.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Heritage Horizons: A Journey Across Generations” nga Artpolis në bashkëpunim me Etno Fest dhe QPDG, në kuadër të programit BOOST Balkans, i financuar nga AFD – Agence Française de Développement dhe i koordinuar nga ALDA Balkans.







































