Forum Teatri

“A PO M’NIN” – Një pasqyrë e guximshme e dilemave të rinisë

11 Dhjetor, 2025

10.12.2025

Premiera e shfaqjes forum-teatër “A po m’nin”, e cila u zhvillua më 10 dhjetor në Teatrin e Qytetit në Gjilan, ishte një thirrje për reflektim. Para një audience të përkushtuar prej 65 personash, personazhet u shndërruan në pasqyrë të dilemave të rinisë dhe pasigurisë që lind kur kujdesi shoqëror humbet në rrëmujën e ndryshimeve.

Në qendër të historisë qëndron Jara, një vajzë e re përballë zgjedhjeve që mund t’i ndryshojnë rrjedhën e jetës. Përmes heshtjes, shpërfilljes dhe braktisjes, shfaqja na tregon se si pasiguria mund të gllabërojë vetëbesimin dhe si rrjedhim pasojat mund të jenë të thella dhe të gjerë.

Performanca e nxënësve nga Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” dhe Shkolla e Mesme e Artit “Adem Kastrati” – Muharrem Ramadani, Eris Selimi, Isra Sahiti, Anisa Koprani, Donesa Musliu, Ajsin Sahiti, Lina Bislimi, Atika Salihu, Kanita Mehmeti, Delfina Halimi, Altesa Byqmeti, Blinera Miftari dhe Rrezarta Rrahmani – ishte një udhëtim emocional që lidhi publikun në mënyrë të drejtpërdrejtë me rrëfimin. Diskutimi aktiv midis aktorëve dhe publikut solli një dimension tjetër, duke kthyer shfaqjen në një dialog të hapur për përgjegjësinë sociale dhe përkujdesjen ndaj rinisë.

Mentorimi i aktorëve Kushtrim Qerimi dhe Fitore Jashari e bëri këtë përvojë edhe më të veçantë, duke krijuar një hapësirë të sigurt dhe të frytshme për të rinjtë e talentuar të Klubit Teatror të Gjilanit.

Siç e përshkruan Muharrem Ramadani, pjesë e klubit, ishte “një aventurë jetësore” dhe “kenaqësi” që krijoi lidhje të forta.

Shfaqja “A po m’nin” është dëshmi e fuqisë së teatrit për të zgjuar ndërgjegjen, për të hapur diskutime dhe për të lidhur shoqërinë me emocionet e të rinjve.

Ky aktivitet u realizua nga Artpolis, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” dhe Shkollën e Mesme të Artit “Adem Kastrati”, me mbështetje nga FRIEDA dhe Ministria e Kulturës.

You may also like