“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
30 Shtator, 2020
Prill – Shtator 2020
Projekti ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim ia mundësoi Artpolis-it që të realizojë një ëndërr: të krijojë klube teatrale nëpër shkolla fillore dhe përmes klubeve të promovojë artin, kulturën gjithnjë duke avokuar për të drejtat e njeriut. Ky realizim i kësaj ëndrre u bë realitet në 20 shkollat kampione të Kosovës, me përkrahje të GIZ Kosova, që përfshinte komunat: Prishtinën, Podujevën, Obiliqin, Prizrenin, Gjakovën, Gjilanin dhe Shtimen.
Këto klube me anëtarët e tyre, nxënës/e rreth 10 – 15 të klasave 6 – 9, iu ngritën kapacitetet përmes trajnimeve të shumta, në radhë të parë për teatrin dhe teknikat bazë të teatrit, për të drejtat e njeriut, për dizajnime të kostumeve, etj. Ideja fillestare ishte që pas trajnimeve të krijonin shfaqje Forum Teatër dhe të performonin para publikut të shkollës por edhe para publikut të Prishtinës duke marrë pjesë në Festivalin e Teatrit për të Rinj/Reja. Por, kjo u pamundësua për shkak të situatës me pandeminë.
Mirëpo, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, edhe në izolim me kreativitet arriti të modifikojë mënyrat e punës dhe të zhvillojë aktivitete nga distanca me të gjitha palët e interesit.
Kështu, pas trajnimeve dhe ushtrimeve të ndryshme nga distanca me nxënësit e klubeve teatrale, duke trajtuar tema të caktuara, të përzgjedhura nga vetë nxënësit, u krijuan shfaqjet përkatëse për ato klube për tu incizuar (rekorduar) live, që i quajtëm video drama. Shumë ide kreative, të qeshura por edhe emocione u përjetuan gjatë xhirimeve. Nuk munguan sfidat e natyrave të ndryshme si: interneti i dobët, mungesa e rrymës elektrike, pajisjet jo adekuate të nxënësve, etj. Por, çdo gjë u tejkalua falë vullnetit dhe angazhimit të të gjithëve dhe kështu me ndihmën e mentorëve të klubeve teatrale: Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj dhe Edlir Gashi.
Aktrimi dhe e gjithë puna e nxënësve në video drama u prezantua në Facebook: Travelling Theater for Children and Youth përmes Watch Party. Virtualisht u mblodhën shikues të kategorive të ndryshme, për ti përcjellë këto performanca dhe për ti përshëndetur aktorët e rinj për punën dhe guximin e tyre.
Video dramat shënuan sukses të madh sepse u krijua një numër i madh i shikuesve dhe përcjellësve për ti hapur rrugën edhe mediave televizive dhe portaleve ti përcjellin dhe ti publikojnë në faqet e tyre.
“Ky projekt u organizua nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahje të GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane”